Lirohen nga paraburgimi tre nga katër të akuzuarit për dy grabitjet në një depo në Isniq të Deçanit

12 korrik 2019 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 12, 2019

Pejë – Pas tetë muajve në paraburgim, tre nga katër të akuzuarit për grabitje Marjan Prenka, Arbër Nimani dhe Safet Gashi janë liruar nga paraburgimi të premten nga Gjykata Themelore në Pejë dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, Xhevat Thaqi do të mbetet në paraburgim për shkak se kjo masë i ishte caktuar nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Deçan, për një vepër tjetër penale.

Paraprakisht, për ndryshimin e masës së sigurisë është pajtuar prokurorja Sahide Gashi.

Arbër Nimani, Marjan Prenka, Xhevat Thaqi dhe Safet Gashi, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës se në prill të vitit 2018, kanë kryer dy grabitje në fshatin Isniq të Deçanit, ku pretendohet se kishin marrë një sasi të konsiderueshme të parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para se ky vendim të jepej nga ana e kryetares së trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, prokurorja Gashi, ka propozuar që në seancën e radhës të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes dhe një ekspertizë tjetër për të përcaktuar matjet trupore të pandehurve me personat e maskuar që shihen në video-incizime.

Propozimi për rikonstruim të vendit të ngjarjes ishte i panevojshëm, sipas mbrojtësit të të akuzuarit, Marjan Prenka, avokatit Ndrec Dodaj, ndërsa ai e ka përkrahur që të bëhet ekspertiza e kamerave për të konstatuar matjet e personave, të cilën propozim e kishte kërkuar edhe në fazën e hetimeve, mirëpo sipas tij, nuk ishte marrë parasysh nga prokuroria.

Sipas avokatit Ndrecaj, Prokuroria e Pejës asnjëherë nuk kishte marrë për bazë propozimet e tij të cilat shkonin në favor të mbrojtjes.

“Unë e kam propozuar këtë provë që të caktohet ekspertizë për CD-në për të matur lëvizjet e personave në kamera me të pandehurit, ndërsa për rikonstruim prokurorja nuk ofroi asnjë arsye të qartë se çfarë do të vërtetohet me rikonstruim. Prokurorja poashtu në hetime s’ka nxjerrë hartografinë për të mbrojturin tim për të eliminuar dyshimet”, ka deklaruar avokati Ndrecaj.

Mbrojtësit të akuzuarve tjerë e kanë kundërshtuar së bashku propozimin e prokurores për rikonstruimin e vendit të ngjarjes, ndërsa kanë thënë se e përkrahin propozimin e avokatit Ndrec Dodaj.

Seancat e radhës janë caktuar më 30 shtator dhe 1 tetor, nga ora 10:00, ndërsa për propozimet e palëve, gjykatësja Muhaxheri ka thënë se do të vendosë jashtë seance.

Ndryshe, në këtë seancë kanë munguar dy zyrtarët policorë, Ruke Dobraj dhe Albert Zeqiri, të cilët nga gjykata ishin ftuar të dëshmojnë për pretendimet e të akuzuarit Arbër Nimani se ishte maltretuar nga Policia e Deçanit për të pranuar veprën penale dhe për të treguar edhe të pandehurit tjetër.

Ndryshe, katër të pandehurit në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 27 shkurt 2019, kanë mohuar se kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen.

Prokurorja Sahide Gashi, në seancën e shqyrtimit fillestar kishte bërë përmirësimin në kualifikimin juridik të aktakuzës, ashtu që të pandehurit nuk ngarkohen si bashkëkryerës, por si anëtarë të grupit. Ajo gjithashtu ka bërë përmirësimin e dispozitivit ku nga dy dispozitivë ka lënë vetëm një, meqenëse sipas saj, kemi të bëjmë me vepër penale në vazhdimësi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 janar 2019 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Arbër Nimani, Marjan Prenka, Xhevat Thaqi dhe Safet Gashi akuzohen se më 30 nëntor 2017, rreth orës 00:15, në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit, përkatësisht në depon e materialit ndërtimor “Liria M”, e cila është pronë e të dëmtuarit Valdet Mujaj, me marrëveshje paraprake mes tyre, me kanosje serioze e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme.

Ata akuzohen se në natën kritike kishin ardhur me veturën “Golf 3”, pronë e të pandehurit Xhevat Thaqi dhe janë futur me maska, armë dhe shkop bejsbolli në depon e të dëmtuarit,  derisa i pandehuri Arbër Nimani ka vëzhguar situatën nga vetura.

Sipas prokurorisë, të pandehurit e kishin shtrirë në tokë rojën e depos, këtu dëshmitarin Binak Shabanaj, ndërsa duke ia mbajtur armën në kokë, e kërcënon i pandehuri Marjan Prenka.

Ndërsa, të pandehurit Xhevat Thaqi dhe Safet Gashi, sipas aktakuzës, pasi e thyejnë arkën e depos, ku marrin shumën prej dy mijë euro si dhe nga sirtarët e tavolinës marrin një aksesor ari, me vlerë prej 800 euro, më pas ia lidhin duart pas shpine, dëshmitarit Shabanaj, e mbyllin me çelës derën e depos dhe largohen prej aty.

Prokuroria të pandehurit i ngarkon se përsëri kishin kryer grabitjen në të njëjtën depo, të cilin e kanë grabitur më herët.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit, më 15 prill 2018, rreth orës 03:00, në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit, përkatësisht në depon e materialit “Liria M”, e cila është pronë e të dëmtuarit Valdet Mujaj, duke e thyer xhamin dhe derën e depos, të maskuar dhe me armë hyjnë në depo.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Arbër Nimani kishte qëndruar jashtë si vëzhgues, përderisa të pandehurit e tjerë hyjnë me forcë në depo, ashtu që i pandehuri Xhevat Thaqi e godet me dorëz të armës pas kokës rojën e depos, të dëmtuarin Xhafer Zenelaj dhe me kabllo të kamerave ia lidhin duart dhe këmbët.

Ndërsa, të pandehurit Marjan Prenka e Safet Gashi, pasi me forcë e hapin arkën, nga aty marrin të holla në vlerë prej 300 eurosh, një bateri dore në vlerë 100 euro, devijarin e kamerave si dhe katër telefona. /BetimipërDrejtësi