Lëvizi lirshëm gjatë “orës policore” me vërtetim të falsifikuar, arrestohet i dyshuari dhe biznesmeni që e lëshoi dokumentin në fjalë

Foto-Prokuroria-Themelore-Pejë-1-620x275
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 2, 2020

Pejë – Mbrëmjen e së mërkurës është arrestuar një person në Pejë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe moszbatim të masës së Qeverisë së Kosovës, për kufizim të lëvizjes.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Sipas tij, personi i cili i arrestua rreth orës 23:00, dyshohet se kishte përdorur dokumentin e falsifikuar për të lëvizur lirshëm në kohën kur është kufizuar lëvizja, për shkak të parandalimit të virusit Covid -19.

Nikçi tha se i dyshuari pandehet se gjatë kohës së kufizimit të lirisë së lëvizjes, kishte prezantuar dokumente të falsifikuara, kinse ka të drejtë për të lëvizur lirshëm.

Tujte, ai bëri të ditur se është arrestuar edhe një pronar i biznesit, i cili e ka lëshuar të falsifikuar vërtetimin për lëvizje.

“Dyshohet se e ka falsifikuar vërtetimin që ka të drejtë për lëvizje , me cka dyshohet për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe moszbatim të masave të Qeverisë. Është ndaluar edhe personi i cili e ka lëshuar vërtetimin kinse është punëtor i tij. Me ç‘rast personat janë ndaluar për 48 orë”, tha Nikçi.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së virusit korona, ku ndër të tjera është edhe kufizimi i lirisë së lëvizjes. /BetimipërDrejtësi