Lëshohet urdhëresë për verifikim adrese ndaj të akuzuarit se shiti rrobalarësen ku jetonte me qira

Author

Raporton: Krenare ZARIQI

Shtator 14, 2021

Prishtinë- Gjykatësja Edita Ҫanta ka njoftuar se do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës së Ismet Hotit, i akuzuar për shitjen e rrobalarëses në banesën ku jetonte me qira.

Sipas gjykatëses Ҫanta, nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, për shkak se në fletëkthesën që iu kishte kthyer gjykatës, figuronte se i akuzuari Hoti ishte shpërngulur nga kjo adresë.

Andaj, për të siguruar prezencën e të akuzuarit në seancë, do të bëhet verifikimi i adresës së tij.

Prezent në këtë seancë ishte edhe prokurori Eset Rama.

Aktakuza e përpiluar në dhjetor të 2019-ës, ngarkon Ismet Hotin se me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, e kishte vënë në lajthitje pronarin e banesës ku i njëjti po jeton me qira kinse po i largonte disa mobile, dhe  pastaj nga kjo banesë kishte marrë edhe  rrobalarësen e cila ka qënë në pronësi të Arton Berishës dhe të njejtën e kishte shitur tek një person tjetër.

Me këto, Hoti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i besimit” nga neni 342 par. 1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.