Lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë, akuzohet se kanosi e sulmoi policët

Author

Raporton: Avni BERISHA

Shtator 14, 2021

Rahovec – I akuzuari Imer Hoti mungoi pa arsye në seancë, duke bërë që të dështojë gjykimi i paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan. Andaj, ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë

Në këtë rast, akuzuari Imer Hoti ngarkohet për sulm ndaj zyrtarëve policorë më 2018 në fshatin Xërxë.

Gjykatësi Mizahir Shabani, tha se për të akuzuarin në shkresa të lëndës kanë prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, por i njëjti nuk ka ardhur dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Në mungesë të tij, gjykatësi Shabani, tha se shqyrtimi gjyqësor nuk do të mbahet dhe i njëjti shtyhet në kohë të pa caktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, gjykatësi bëri të ditur se ndaj të akuzuarit Hoti do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim nga Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Rahovec.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur me 17 shtator 2018, Imer Hoti, ngarkohet për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës i pandehuri në gusht të 2018-ës në fshatin Xërxë të Rahovecit, iu shkakton lëndime të lehta trupore zyrtarëve policorë, Hysen Dellova, zyrtar policor i Njësisë së Trafikut Rajonal në Gjakovë dhe Besart Kuqi zyrtar policor në Stacionin Policor në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja kishte ndodhur derisa i akuzuari me automjetin e tij ishte përfshirë në një aksident trafiku të ndodhur afër udhëkryqit të Gradishit, ndërsa i dëmtuari Hysen Dellova ishte duke u marrë me vendin e ngjarjes.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari i afrohet të dëmtuarit Hysen dhe i drejtohet me fjalët fyese e ofenduese “se kush k… je ti që m’i kërkon dokumentet dhe se a e di ti se kush jam unë”, e më pas e sulmon  dhe e godet me grushte në kokë.

Në këto rrethana, thuhet se i dëmtuari që të vë situatën nën kontroll, kërkon ndihmë dhe kur i dëmtuari Besart Kuqi ishte në një pikë kontrolli në fshatin Bishtazhin, e pranon kërkesën për ndihmë, si përforcim shkon në ndihmë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari përsëri i rezsiton arrestimit të tij dhe vazhdon me fyerje e kanosje me fjalët “kam me ju ndjek sipas kanunit”. Më pastaj, kur zyrtari policor e vë situatën nën kontroll dhe bëjnë shoqërimin e tij, i akuzuari Hoti, nga ulësja e pasme e fut këmbën e majtë në mes të dy ulëseve të para të automjetit, ndërsa të dëmtuarin Besart e godet me shqelm në kraharorin e djathtë.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të Dr. Flamur Dylhasi më 29 gusht 2018, nga goditjet, të dëmtuarve u ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë, i akuzuari ngarkohet për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.