Lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarve se blenë telefonin e vjedhur

50669990_2280422268902348_8212676935440924672_n
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Dhjetor 6, 2019

Drenas – Për të katërtën herë me radhë, ka dështuar të mbahet seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Drenas, ndaj të akuzuarve për “blerje ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, Gazmend Salihu dhe Taulant Qorri.

Shkak për dështimin e seancës të së premtes ka qenë mungesa e të akuzuarve Gazmend Salihu dhe Taulant Qorri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shefqet Baleci, tha se gjykata ka prova se ata janë ftuar me rregull, por se mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Sipas tij, i akuzuari Salihu është njoftuar përmes procesverbalit nga seanca e kaluar, kurse i akuzuari Qorri, është njoftuar gojarisht, gjatë një shqyrtimi për një rast tjetër, që është duke u zhvilluar në këtë gjykatë.

Gjykatësi Baleci, ka marr aktvendim që ndaj të akuzuarve të lëshohet urdhëresë për sjelljen me forcë.

I pranishëm ne seancë ishte prokurori Musa Mehaj.

Gjykata seancën e radhës e ka caktuar më 24 dhjetor 2019,  nga ora 9:15.

Ndryshe, seanca e paraparë për 3 tetor 2019, ka dështuar në mungesë të akuzuarit Salihu, kurse seancat e parapara për 21 tetor 2019 dhe 31 tetor 2019, kanë dështuar në mungesë të akuzuarit Qorri.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Gazmend Salihu dhe Taulant Qorri, me arsyetimin se kanë kryer veprën penale “blerja ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Taulant Qorri, me datë të pavërtetuar, kah mesi i vitit 2017, ka blere sendin për të cilin e ka ditur se është përfituar me kryerjen e veprës penale.

Siç thuhet në aktakuzë, ai ka vepruar në atë mënyrë që nga personi i panjohur ka blerë një telefon të markës “Samsung J1 mini”, për çmim për të cilin ka mundur të dijë se nuk i përgjigjet vlerës se vërtet të telefonit.

Kurse, Gazmend Salihu, akuzohet se me datë të pavërtetuar në muajin shtator të vitit 2017, ka blerë sendin për të cilin e ka ditur se është përfituar me kryerjen e veprës penale.

Sipas aktakuzës, ai ka vepruar në atë mënyrë që nga Taulant Qorri në prezencë të dëshmitarit Liridon Obrija, për një borxh të cilin ia kishte Qorri, ka marrë një telefon të markës “Samsung J1 mini”, për çmimin për të cilin ka mundur të dijë se nuk i përgjigjet vlerës së vërtetë të telefonit. /BetimipërDrejtësi