Lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarve për kanosjen e të dëmtuarit në objektin e Gjykatës

Raporton: Samire BINAJ

Prizren – Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarve B. dhe R.Xh., të cilët po akuzohen se në ambientet e Gjykatës Themelore në Prizren kanë kërcënuar me vrasje të dëmtuarin A.S.

Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësi i rastit Fatmir Krasniqi, pasi që të akuzuarit B. dhe R.Xh. mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancë ishte i pranishëm Prokurori Ramadan Koro si dhe i dëmtuari A.S, ndërsa nuk ishte i pranishëm dëshmitari N.S.

Mirëpo, i dëmtuari Sopaj ka deklaruar se dëshmitarin N.S. e ka vëlla dhe se i njëjti gjendet jashtë shtetit. Ai shtoi se të njëjtin do ta njoftoj për seancën e radhës.

Ndërsa për të akuzuarit B.dhe Rr.Xh do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë pranë Stacionit Policor në Prizren – Veri.

Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua më 7 korrik 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 19.05.2021, B.Xh. dhe Rr.Xh. po akuzohen se më 25.02.2021 rreth orës 10:00, në Prizren në  Rr.” William Woker”, në ambientet e Gjykatës Themelore në Prizren, në bashkëveprim, i kanoset me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim rëndë trupor, ose se do ta dëmtojë me mjete të tjera të rrezikshme, në atë mënyrë që në lidhje me një seancë gjyqësore e cila ka qenë duke u zhvilluar, ku prezent kanë qenë vetë të pandehurit, avokati Esat Gutaj, i dëmtuari A.S, vëllai i të dëmtuarit N.S., ku në një moment i dëmtuari nga vëllai i tij N.S. kupton se derisa kanë qëndruar në hapësirën e gjykatës ai ka dëgjuar fjalët nga avokati Esat Gutaj duke thënë “o A. kan me vra” duke aluduar në të pandehurit me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetën e tij.

Me këto veprime B.Xh. dhe R.Xh. po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kanosja nga neni 181, par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë