Lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli në Mramor

Pallati i Drejtësisë (1)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Mars 14, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Islam Gashit, i cili po akuzohet se ka prerë në mënyrë të kundërligjshme 154 copë trungje të llojit bungu, në fshatin Mramor të Prishtinës.

Kjo urdhëresë, është lëshuar nga gjykatësi Rrustem Begolli, në seancën e shqyrtimit fillestar të paraparë të mbahej të enjten, por që ka munguar i akuzuari Gashi dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Sipas gjykatësit Begolli, rezulton se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt, sipas fletëkthesës së 4 marsit të vitit 2019, por ai nuk prezanton në këtë gjykim.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi Begolli ka marr vendim që kjo seancë të ndërpritet dhe seanca e radhës është caktuar të mbahet më 17 prill, nga ora 09:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 mars 2016, Islam Gashi po akuzohet se më 21 gusht 2015, rreth orës 16:18, në vendin e quajtur “Roga e Kopilit”, në Regjionin Ekonomiko-Pyjor-Mramor, në pyllin në pronësi publike me të cilin menaxhon Agjencia Pyjore e Kosovës e Kosovës, me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme dhe që vetit ti sjell përfitim të kundërligjshëm pasuror, është zënë nga roja e pyllit duke prerë dru zjarri.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari ka prerë 154 copë trungje të llojit bungu, me diametër 1.30 cm, me gjatësi 6-12 metra dhe vëllim të përgjithshëm prej 9.859 m3, me ç’rast të dëmtuarës Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim- Shërbimi i Pylltarisë në Prishtinë, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 887.33 euro.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Islam Gashi se ka kryer veprën penale “Vjedhja e pyllit”, nga neni 358 par.2 të KPRK-së.