Lëshohet urdhërarrest për të akuzuarin se me dokument të falsifikuar regjistroi një veturë

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Danijel Stojkoviq, i akuzuar se dokument të falsifikuar regjistroi një veturë.

Stojkoviq po akuzohet se prej vitit 2010 deri në prill të vitit 2012 ka vënë në lajthim personat e autorizuar në Qendrën e Regjistrimi të Automjeteve në Fushë Kosovë ashtu që me librezë të falsifikuar të ish-Jugosllavisë ka regjistruar veturën Opel Astra.

Ky vendim është marrë të premten nga gjykatësja Sulltane Hoti, pasi që i akuzuari Stojkoviq mungoi në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për mungesën e të akuzuarit, gjykatësja Hoti tha se nga Policia e Kosovës ka pranuar një e-mail, përmes së cilit është konstatuar se pala gjendet në Gjermani.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, seanca e sotme është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, parashkrimi absolut i ndjekjes penale për këtë rast arrin në prill të këtij viti, pasi që vepra penale për të cilën akuzohet Stojkoviq është e dënueshme deri në 5 vite burgim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 mars 2018 ka ngritur aktakuzë, me të cilën të akuzuarin Danijel Stojkoviq e ngarkon për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë” e paraparë me Kodin e Përkohshëm Penal.

Sipas aktakuzës, prej vitit 2010 deri më 17 prill 2012 , i pandehuri Stojkoviq me qëllim të përfitimit për vete në vazhdimësi i ka vënë në lajthim personat e autorizuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Fushë Kosovë për të vërtetuar një çështje të pavërtetë, e paraparë të shërbejë si provë për një çështje ligjore.

Aktakuza thotë se ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që përmes librezës së ish-Jugosllavisë në emër të tij ka regjistruar automjetin “Opel Astra” dhe ka marrë librezën e veturës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, ku pas ekzaminimit është vërtetuar se dokumenti është i falsifikuar.

Me këtë, Stojkoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë” nga neni 334, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit të Përkohshëm Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej tre muajve deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë