Lëshohet urdhërarrest ndaj të akuzuarve që munguan në gjykimin për vjedhje të rëndë

fotoja (1)
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Korrik 10, 2019

Lipjan – Ka dështuar të mbahet gjykimi për vjedhje e rëndë, i paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ndaj të akuzuarve Nazmi Brahimi dhe Viktor Syla.

Shkak i dështimit të kësaj seance ka qenë mungesa e dy të akuzuarve Brahimi dhe Syla, ndërsa prezent ishte prokurorja Fatmire Cacaj dhe i dëmtuari Arlind Binaj.

Gjykatësi i rastit Avdirrahman Gashi, ka bërë të ditur se ndaj të akuzuarve ishte lëshuar urdhëresë për shoqërimin e tyre nga policia, mirëpo prapë kanë qenë të paarritshëm për gjykatën.

Andaj, në këto rrethana, gjykatësi Gashi, këtë seancë e ka shtyrë më 22 gusht 2019, në ora 10:00, me ç ‘rast ka njoftuar se ndaj të akuzuarve do të lëshohet urdhërarrest për sigurimin e prezencës së tyre në seancën e radhës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 nëntor 2016, Nazmi Brahimi dhe Viktor Syla akuzohen se më 31 nëntor 2014, rreth orës 1:00, pas marrëveshjes paraprake, e me qëllim që me përvetësimin e sendit të huaj vetit t’i sjellin përfitim pasuror, kanë shkuar në lokalin e tani të dëmtuarit Arlind Binaj, i cili gjendej në rrugën “Skender Beu”, në Lipjan.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit duke përdorur mjetin e përshtatshëm, me forcë kanë hapur derën e lokalit, kanë hyrë brenda dhe nga aty kanë marrë kasafortën e lokalit në të cilën kishte para të gatshme prej metalit në vlerë prej 100 euro dhe janë larguar nga vendi ngjarjes.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, Brahimi dhe Syla po akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi