Lëshohet urdhërarrest ndaj të akuzuarit se hoqi shiritat e vendosur nga Inspektorati në Viti

f V3
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Tetor 8, 2019

Viti – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar, i paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, ndaj të akuzuarit për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, Agron Ahmeti.

Shkak për dështimin e seancës ka qenë mungesa e të akuzuarit Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit, Nexhat Aliu, tha se në fletëkthesën që i është kthyer gjykatës shkruan se i akuzuari nuk është në këtë adresë, dhe se gjendet jashtë vendit.

Më pas, gjykatësi Aliu ka thënë se ndaj të akuzuarit Ahmeti do të lëshohet urdhëresë për sjellje të detyrueshme.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 30 tetor 2019, nga ora 10:40.

Në seancë ka qenë prezente prokurorja Sllavica Popoviq.

Sipas aktakuzës së ngritur, më 14 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Agron Ahmeti akuzohet se me datë të pavërtetuar në periudhën prej 15 dhjetorit 2017- deri më 19 dhjetor 2017, në Viti, në rrugën “Flaka e Janarit”, në objektin e mbindërtimit e ka hequr shiritin, i cili ka qenë i vendosur nga personat zyrtarë-inspektorët e ndërtimit të Komunës së Vitisë me qëllim të sigurimit të objektit.

Në aktakuzë thuhet se së pari me aktvendimin e inspeksionit të ndërtimit të 6 tetorit 2017, i është urdhëruar t’i ndërpriste punimet në mbindërtim, por i pandehuri edhe për kundër urdhrit të Inspeksionit ka vazhduar me punime dhe më 15 dhjetor 2017, është vendosur shiriti në këtë mbindërtim, të cilën i pandehuri e ka hequr dhe ka vazhduar punimet, çka është vërtetuar më 19 dhjetor 2017, gjatë kontrollit nga Inspeksioni i Komunës së Vitisë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Heqja apo dëmtim i vulave zyrtare ose i shenjave, nga neni 414, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi