LËSHOHET URDHËRARREST NDAJ TË AKUZUARIT PËR VJEDHJE PËR SHKAK TË INJORIMIT TË GJYKATËS

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – I akuzuari Besart Ahmeti, në seancën e caktuar më 5 prill në orën 10:00 do të sillet me dhunë në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Vendimi për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Ahmetit u bë i ditur në seancën e së martës nga gjykatësi individual Mustafë Tahiri, i cili u detyrua ta shtyjë seancën e paraparë të mbahej të martën në ora 13:00, për shkak të injorimit të gjykatës nga i akuzuari Ahmeti, i cili nuk u paraqitë në seancë edhepse ishte ftuar me rregull.

Ky proces gjyqësor zhvillohet ndaj Leutrim Aliaj, Muharrem Ibishi dhe Besart Ahmeti, të cilët akuzohen për veprën penale “vjedhje e rëndë”, si dhe për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Në këtë shqyrtim gjykatësi Mustafë Tahiri ka njoftuar se ndaj të akuzuarit Besart Ahmeti, i cili nuk u paraqit në seancë, do të lëshohet urdhërarrest në Stacionin Policor në Podujevë, pasi që i njejti ftesën nga Gjykata e ka pranuar, ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar.

Gjykatësi Tahiri, ka njoftuar palët në procedurë që për shkak mosplotësimit të kushteve ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, përkatësisht për shkak të mungesës së të akuzuarit Besart Ahmeti, dhe gjithashtu mungesës së të dëmtuarit Veton Sadriu. Seanca e radhës u caktua për 5 prill 2016 në ora 10:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë