Lëshohet urdhërarrest ndaj të akuzuarit për uzurpim të pronës në Kllokot

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka lëshuar urdhërarrest ndaj Zoran Bogdanoviçit, i cili akuzohet për uzurpim të pronës në Kllokot.

Një vendim të tillë e ka marrë gjykatësja Blerina Jakupi Ramadani, pasi i akuzuari Bogdanoviq nuk është paraqitur në seancën e së mërkurës, edhe pse për të paraprakisht ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Ramadani ka njoftuar se sipas konstatimit nga ana e zyrtarëve policorë, urdhëresa nuk ka mundur të realizohet pasi që i njëjti gjendet në Zvicër, andaj ndaj tij do të lëshohet urdhërarrest.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 28 korrik 2015, ka ngritur aktakuzë ndaj Zoran Bogdanoviçit, të cilin e ngarkon se nga data e pacaktuar e deri më 24 prill 2015, në vendin e quajtur “Zabia”, në Kllokot, në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar pronën private të dëmtuarës Biserka Troliç, nga Kllokoti.

Aktakuza thotë se në ngastrën kadastrale 1303-0 me të cilën kufizohet prona e të pandehurit Zoran Bogdanviç, sipas fletësposeduese 1320-6, i njëjti gjatë shfrytëzimit të pronës së vet, e ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme edhe një pjesë të pronës së të dëmtuarës së sipëshënuar, ashtu që e ka lëvruar dhe mbjellë me misër një sipërfaqe në gjatësi prej 62 m2, dhe gjerësi rreth 1.5m, e që të njëjtën pronë edhe me tutje e shfrytëzon edhe e mbanë pa asnjë bazë juridike.

Në aktakuzë thuhet se në këtë mënyrë i pandehuri me veprimet e veta e ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën e paluajtshme të dëmtuarës së sipërshenuar.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragrafi 1 i Kodit Penal, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dy vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë