Lëshohet urdhërarrest ndaj dy të akuzuarve për legalizim të përmbajtjes së rreme

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, ka lëshuar urdhër arrest ndaj Ahmet dhe Beqir Sheqiri të cilët po akuzohen se së bashku me Xhevdet Sheqirin kanë vënë në lajthim noteren publike për të vërtetuar një çështje të pa vërtetë.

Një vendim i tillë është marr pasi që dy të akuzuarit Ahmet dhe Beqir Sheqiri munguan në seancën e së enjtes , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e tyre, gjykatësja Vlora Pacolli-Rexhepi deklaroi se nga fletë dërgesat është konstatuar se palët jetojnë jashtë vendit.

Ndërsa, për të akuzuarin Xhevdet Sheqiri gjykatësja Pacolli-Rexhepi njoftoi se ndaj tij veçohet procedura penale.

“Duke qenë se dy të pandehurit jetojnë jashtë vendit dhe prezenca e tyre nuk dihet se kur do të sigurohet gjykata merr aktvendim veçohet procedura në çështjen penale për Xhevdet Sheqirin”, ka deklaruar ajo.

Tutje, gjykatësja Pacolli-Rexhepi tha se për të pandehurit Ahmet dhe Beqir Sheqiri lëshohet urdhër arrest që të njëjtit të sjellën në gjykatë në çdo kohë që arrestohen.

Ndryshe, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurorja Nebahate Salihu, i akuzuari Xhevdet Sheqiri dhe avokati Nasuf Hasani.

Avokati Hasani njoftoi gjykatësen se ka paraqitur kërkesë për shtyrjen e kësaj seance.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, seanca e sotme u shty, kurse ajo e radhës u caktua më 13 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2015, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Xhevdet, Ahmet dhe Beqir Sheqiri po akuzohen se më 22 nëntor 2012, në bashkëkryerje kanë vënë në lajthim personin e autorizuar noteren publike në Fushë Kosovë, Arjeta Ukaj Derivshaj për të vërtetuar një çështje të pa vërtet e paraparë të shërbej si provë për regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të tyre.

Aktkuaza thotë se, të pandehurit më 3 mars 2013, i prezantojnë dokumentin aktvendimin mbi trashëgiminë pranë personit të autorizuar në Shërbimin Kadastral të Komunës së Fushë Kosovës ku të pandehurit Ahmet Sheqiri i takojnë 3 parcela, Xhevdet Sheqirit 4 parcela dhe Beqir Sheqirit 4 parcela po ashtu një parcelë tjetër si pronë e përbashkët.

Tutje, në aktakuzë thuhet se me këtë të pandehurit përjashtojnë nga trashëgimia trashëgimtarët ligjor Ymer, Muhamet, Mustafë dhe Gjyla Sheqiri, me ç‘rast këtyre të fundit ju shkaktojnë dëm material.

E me këtë, të pandehurit Xhevdet, Ahmet dhe Beqir Sheqiri po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rremë” nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë