Lëshohet urdhër për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit për aksident trafiku

45708483_1132572400240352_8738834124535496704_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Nëntor 8, 2018

Gjakovë – Ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Leotrim Kazazi.

Shkak për shtyrjen e kësaj seancë ka qenë mungesa e të akuzuarit Kazazi, i cili sipas Gjykatës ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Në seancën e së enjtes ka munguar edhe i dëmtuari Arlind Isniqi, i cili ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo në fletëkthesë konstatohet se i njëjti gjendet jashtë shtetit.

Gjykatësi, Mentor Bajraktari ka marrë aktvendim me anë të së cilit shqyrtimin e ka shtyrë më 30 nëntor 2018, në ora 13:15, derisa pala e dëmtuar do të ftohet edhe njëherë me thirrje të rregullt.

Ndryshe, për të akuzuarin Kazazi, Gjykata do të lëshojë një urdhëresë për sjellje me forcë të cilën do ta zbatojë Stacioni Policor në Gjakovë.

Në seancë ishte i pranishëm prokurori i rastit, Bajram Kryeziu.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Leotrim Kazazi po akuzohet se më 21 tetor 2017, rreth orës 05:30, në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjakovë, e ka rrezikuar trafikun publik duke shkelur nenin 57 të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë.

Siç thuhet në aktakuzë, në atë mënyrë që nga pakujdesia edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit apo mosveprimit të tij, por me mendjelehtësi mendon se ajo nuk do të shkaktohet apo se ai do të mund ta parandaloj shkaktimin e saj, ashtu që duke e drejtuar automjetin e llojit “VW 19E” ka bërë tejkalim të kufizuar të shpejtësisë, ashtu që fillimisht e ka tejkaluar shpejtësinë dhe më pas duke kaluar në të djathtë me gomën e parë dhe gjatë tentimi të stabilizimit kalon në të majtë, ku kishte dal jashtë rruge në kanal dhe se me pjesën e parë e kishte goditur një grumbull dheu dhe një shtyllë të betonit dhe më pas ishte goditur në ajër, dhe pastaj me pjesën e pasme është goditur prapë në një grumbull dheu të kanalit.

Ashtu që sipas aktakuzës ka shkaktuar dëme materiale të pavërtetuara për momentin si dhe lëndime të përshkruara më përafërsisht në ekspertizën mjekoligjore të 21 tetorit.2017.

Me çka, po akuzohet se e ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 parag.7 lidhur me parag.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë i propozohet Gjykatës që ndaj të akuzuarit të nxirret urdhër ndëshkimor, me anë të së cilit të njëjtit t’i shqiptohet dënimi me gjobë.