Lëshohet sërish urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit për kontrabandim  të drunjëve nga Serbia në Kosovë

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, për të dytën herë me radhë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Xhevat Pacollit, i cili akuzohet se në korrik të vitit të kaluar kontrabandoi 9.4 metra drunjë nga Serbia në Kosovë.

Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësja Valbonë Dërvodeli, pasi Stacioni Policor në Prishtinë – Jugu, nuk e kanë realizuar urdhëresës e parë të lëshuar nga gjykata dhe për këtë gjë nuk kanë njoftuar asgjë.

Seanca tjetër për këtë rast u caktua të mbahet në janar të vitit tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 25 shtator 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Pacollit, me arsyetimin se në korrik 2020, në fshatin Zajqevc të Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material ka kontrabanduar drunjë.

Sipas prokurorisë, policia kufitare në zonën e tyre të përgjegjësisë pasi e ndalin kamionin të cilin ishte duke e drejtuar i akuzuari, dhe me rastin e kontrollimit të njëjtit iu janë gjetur 9.4 metra drunjë “ahu” pa çekan (damkosje), dhe pa letër transporti, e që këto drunjë i akuzuari po i kontrabandonte nga territori i Serbisë në Kosovë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se këto drunjë të kontrabanduara sekuestrohen përkohësisht dhe dërgohen në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, dhe në këtë mënyrë i akuzuari iu është shmangur kontrollit doganor duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 37 euro e 22 centë.

Me këtë, Xhevat Pacolli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë. 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë