Lënda kalon prej prokurorit në prokuror, rrezikohet parashkrimi i veprave penale ndaj të akuzuarve për dallavere në UP

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – As në seancën e së martës nuk ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve për dallavere në Universitetin e Prishtinës, ku është i përfshirë themeluesi i Organizatës studentore “Reforma” Mevludin Beqiri, kryetari i kësaj organizate – student senator në UP, Esat Balaj dhe të tjerë. Mos prezenca e prokurorit të çështjes dhe dy të akuzuarve Kemajl Gashi dhe Albion Haxhijaha bëri që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër.

Përfaqësuesi i kësaj aktakuze është prokurori Abdurrahim Isalmi, mirëpo për shkak të kalimit të tij nga Prokuroria Themelore në Prokurorinë Speciale, lënda është transferuar tek prokurorja Ikramije Bojaxhiu. Kjo e fundit për shkak të angazhimeve si anëtare e Këshillit Prokurorial ka dorëzuar lëndën në shkrimore me arsyetimin se nuk ka kohë të merret me të.

Më pas këtë lëndë në shumicën e shqyrtimeve të mbajtura në Gjykatën Themelore në Prishtinë e ka përfaqësuar prokurorja Fikrije Fejzullahu dhe Habibe Salihu, ndërkaq në seancën e së martës nuk u morr vesh se kush do të jetë prokuror në këtë çështje.

Gjyqtarja Shadije Gërguri bëri të ditur se e njëjta ka dërguar kërkesë te Kryeprokurori i Shtetit për të kuptuar se kush do të përfaqësojë këtë aktakuzë mirëpo ende nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Në seancën e kaluar ka pasur mospajtime në mes të mbrojtësve të të akuzuarve dhe prokurorit të çështjes, Abdurrahim Islamit, rreth precizimit të aktakuzës dhe parashkrimit të disa veprave penale. Mbrojtësit e të akuzuarve pretendonin se për disa vepra penale ka arritur parashkrimi prandaj ato duhet të pushohen, ndërkaq, Islami i ka kundërshtuar këto pretendime.

Mospajtime gjatë seancës së kaluar ka pasur edhe në mes të prokurorit Islami dhe trupit gjykues, të cilët kanë kërkuar nga ai që të deklarohet lidhur me cilësimin juridik të veprës penale keqpërdorim i pozitës, me të cilën ngarkohet i akuzuari Belaj.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar 13 persona, ndërkaq gjykata ka konstatuar se ndaj të akuzuarit Rajan Zeneli ka arritur parashkrimi i veprës penale dhe ndaj tij është pushuar procedura.

Në këtë çështje të akuzuar janë Esat Belaj për veprat penale marrja e ryshfetit, ushtrim i ndikimit dhe keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar. Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevledun Beqiri për veprat penale ushtrim i ndikimit. Të akuzuarit Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, për veprat penale ndihmë dhe ushtrim i ndikimit. Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi për veprat penale marrje ryshfeti dhe ndihmë. Dhe të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orrllati për veprën penale dhënie ryshfeti. Shumica e të akuzuarve ishin studentë senatorë në UP dhe asistentë të Fakultetit të Mjekësisë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, këto dallavere të akuzuarit i kishin bërë përgjatë viteve 2009 dhe 2012. Në përshkrimin e aktakuzës veprimet e tyre kishin të bëjnë me marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.

Të gjithë të akuzuarit përveç Shaqir Reçicës dhe Amonda Orllatit, kanë qenë në paraburgim nga 12 dhjetori i vitit 2013 deri më 10 prill 2014, ndërsa prej kësaj date deri më 10 qershor 2014 kanë qenë në arrest shtëpiak.

Krejt në fund gjyqtarja Gërguri lidhur me mos prezencën e të akuzuarve nëpër seanca, tha se do të detyrohet ta caktoj ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tyre, për shkak se kjo procedure penale po shkon drejt zvarritjes së saj.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 22 shtator 2016, në ora 9:00.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë