LËNDA ARRIN PARASHKRIMIN ABSOLUT, PROKURORI HEQ DORË NGA NDJEKJA PENALE

Raporton: Adem KRASNIQI

Vushtrri – Për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale për veprën penale “keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi” ka pushuar procedura penale ndaj të akuzuarve Abdylhalim Nesimi dhe Vehbi Braha, të premtën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Pushimi i procedurës është bërë me kërkesë të prokurorit Ismet Ujkani, i cili ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve për shkak të arritjes së parashkrimit absolut të veprave penale.

Kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti, tha se Gjykata konsideron se më nuk ka objekt të akuzës dhe për këtë arsye e shpalli të mbyllur këtë çështje penale, për të vazhduar më 12 prill me shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës prej fillimit të vitit 2000 deri në fund 2002 në bashkëveprim me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore kanë shpërdorur detyrën zyrtare në organizatën e dëmtuar NPK Regjional në Mitrovicë, dhe atë Vehbi Braha si Drejtor Financiar, dhe Bedri Rama, udhëheqës teknik, Muharrem Beqiri, arkatar dhe Naim Shala si depoist, në atë mënyrë që gjatë kësaj periudhe kanë shpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i evidentuar mjetet financiare, të cilat kanë hyrë në organizatën e dëmtuar, duke bërë pranimin e mjeteve, pa dëftesa, me falsifikimin e faturave, me mos evidentimin apo mungesën e fletëdërgesave për pranimin e mallit, sipas faturave të adresuara në emër të të dëmtuarës dhe duke mos mbajtur evidencë të mallit. Me mos regjistrimin e mallit në depo kanë përvetësuar të hollat e organizatës në shumën prej 115.756.24 marka gjermane apo 59.059.30 euro.

Ndaj të tjerëve më parë ka hequr dorë prokurori ndaj ndjekja penale dhe ka vazhduar vetëm ndaj Abdylhalim Nesimit dhe Vehbi Brahës. Këta dy, sipas aktakuzës, ngarkohen se prej fillimit të vitit 2000 deri në fund 2002, në bashkëveprim si persona përgjegjës në organizatën “Ujësjellësi Regjional” në Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore dhe në dëm të organit kompetent të tatimeve, kanë krijuar fonde të palejuara në Kosovë dhe nuk kanë paguar mjete nga detyrimet tatimore në atë mënyrë që i pandehuri Nesimi si drejtor i përgjithshëm ka lejuar të krijohen fonde të palejuara me të cilat kjo organizatë ka bërë qarkullimin e mjeteve financiare në shumën prej 211.589 euro, jashtë xhirollogarisë së hapur të kësaj organizate në bankën e pagesave të Kosovës, filiala në Mitrovicë, kurse Vehbi Braha në cilësinë e drejtorit financiar, ka ndërmarr veprime që këto fonde të palejuara të realizohen me mbajtjen e evidencës së financave dhe me kryerjen e të gjitha transaksioneve të pagesave të mjeteve financiare në shumën e cekur, jashta xhirollogarisë bankare të kësaj organizate si dhe të dytë si persona përgjegjës, duke mos kryer detyrimet ligjore të pagimit të tatimit në të hyra, nuk kanë paguar tatim dhe kontribut pensional në trust për shumën prej 211.598 euro.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë