Laboranti mohon fajësinë se pacientët i dërgoi për analiza në laboratorin e tij privat

Ali Shabanaj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Korrik 10, 2019

Gjakovë – Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, laboranti i Laboratorit të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, Ali Shabanaj është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim detyre.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari Shabanaj deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shabanaj, avokati Ndrecë Dodaj ka hequr dorë nga kundërshtimi i provave, përkatësisht nga shqyrtimit i dytë gjyqësor, duke i propozuar Gjykatës që të shkohet direkt në shqyrtim gjyqësor.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika seancën e shqyrtimit gjyqësor e ka caktuar të mbahet më 19 gusht 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2019, Ali Shabanaj po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, nga neni 422 parag.2.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, në intervalin kohor nga fillimi i vitit 2019, e deri më 24 prill 2019, në cilësinë e personit zyrtar- laborant në Laboratorin e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme si dhe t’i shkaktojë dëm të tjerëve.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari gjatë orarit të rregullt të punës ne Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, nuk u shërben pacientëve të cilët kërkojnë shërbime në laborator sipas udhëzimeve të mjekëve nga institucionet e nivelit parësor të kujdesit shëndetësor, por të njëjtit i dërgon në laboratorin e tij privat “Xiri-Lab”, që gjendet në rrugën ”Dëshmorët e Lirisë” në Gjakovë, me pagesë. /BetimipërDrejtësi