Ky është komisioni i cili do të organizojë dhe mbikëqyrë zgjedhjet e përgjithshme për anëtarë të rinj të KGJK-së

KGJK
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Qershor 10, 2021

Prishtinë – Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) Albert Zogaj, Driton Muharremi dhe Radojka Trifunovic janë ata që do të organizojnë dhe mbikëqyrin procesin e zgjedhjeve të përgjithshme për anëtarët e rinj të KGJK-së nga gjykatat themelore.

Të tre këta anëtarë, më 26 maj 2021 ishin zgjedhur nga KGJK si pjesë e Komisionit që do të organizon dhe mbikëqyrë tubimin e përgjithshëm zgjedhor që do të mbahet më 21 qershor 2021. Anëtar rezervë i këtij komisioni ishte zgjedhur gjyqtari Nenad Lazic.

Në tubimin e përgjithshëm zgjedhor, për dy vende në KGJK do të garojnë gjashtë kandidatë të zgjedhur nga gjykatat themelore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më së shumti vota ka marrë gjyqtarja Arjeta Sadiku, nga ajo e Ferizajt, gjyqtarja Mirinda Bytyqi-Rexhepi kurse nga Gjykata Themelore në Prizren, gjyqtari Fidan Hoxha.

Gjyqtari Veton Ademaj ka marrë besimin e kolegëve të tij nga Gjykata Themelore në Pejë, kurse gjyqtarët Besnik Bislimaj dhe Veli Kryeziu janë zgjedhur si kandidatë nga kolegët e tyre në Gjykatën Themelore në Gjakovë, respektivisht, Gjykata Themelore në Gjilan.

Nga këta gjashtë kandidatë, do të zgjedhën dy gjyqtarë që do të përfaqësojnë gjykatat e shkallës së parë në KGJK, prej të cilëve, njëri kandidatë duhet të vijë nga radhët e gjinisë femërore.

Sipas rregullores për procedurën dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga Gjyqësori, nevojitet që shumica e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave themelore të jenë prezent në procesin zgjedhor për votim.

Zgjedhja e kandidatit për anëtarë të Këshillit bëhet me votim të fshehtë ndërsa varësisht nga numri i anëtarëve të cilët duhet zgjedhur, kandidati i cili e merr shumicën e votave, konsiderohet kandidat i zgjedhur.

Në rast të numrit të barabartë të votave, organizohet votimi i dytë në mes të kandidateve me më se shumti vota. Nëse edhe votimi i dytë përfundon me numër të barabartë të votave, atëherë përsëritet procesi zgjedhor nga fillimi.

Kandidatët e rinj do të zëvendësojnë në Këshill, kryesuesin Skender Çoçaj dhe anëtaren Anita Krasniqi-Prenaj të cilëve u skadon mandati në fillim të muajit korrik 2021.

Përfaqësues tjetër i gjykatave themelore në KGJK është gjyqtari Avni Mehmeti nga Gjykata Themelore në Mitrovicë./BetimipërDrejtësi