Kuvendi i Kosovës pritet të votojë Rezolutën për grevën

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë – Në seancën plenare të së enjtes, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë Rezolutën për grevën.

Në këtë seancë plenare, në rend të ditës janë pikat e papërfunduara nga seancat e 4 gushtit dhe 15 shtatorit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor të mbajtur më 15 shtator 202, si pikë e veçantë u diskutua për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kërkesa për zhvillimin e debatit ishte parashtruar nga kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të PDK-së.

Në mungesë të kuorumit të nevojshëm, nuk ishte propozuar rezolutë në formë të shkruar nga iniciuesi i debatit, për më tepër në kërkesën për debat ishte propozuar që para votimit, rezoluta të harmonizohet me grupet e tjera parlamentare, por kjo nuk kishte ndodhur.

Në këtë drejtim, kryesia e Kuvendit ka caktuar vazhdimin e seancës për ditën e sotme, në të cilën tashmë edhe formalisht është proceduar rezoluta dhe ajo iu është paraqitur deputetëve për votim.

Betimi për Drejtësi”, ka arritur të sigurojë draftin e Rezolutës, e cila i përmban tre pika:

“Kuvendi i Republikës së Kosovës: (1) Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në afat prej 48 orësh nga miratimi i kësaj rezolute, të zhvilloj negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së (apo personat e autorizuar të BSPK-së) deri në zgjidhjen përfundimtarë që siguron ndërprerjen e grevës; (2) Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në afat prej pesë (5) ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, të përfshijë – përfaqësuesit e autorizuar të BSPK-së – në grupet punuese për hartimin e Projektligjit të Pagave, para miratimit të tij në Qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre, dhe (3) Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të propozoj masa për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatës”.

Vazhdimi i seancës plenare është planifikuar të mbahet sot duke filluar nga ora 11:00, por ajo është shtyrë për në orën 12:00. /BetimipërDrejtësi 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë