Kundërthënie ndërmjet provave dhe akuzës, prokurori tërhiqet nga ndjekja e të akuzuarit për sulm

Pd
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Qershor 10, 2021

Podujevë – Prokurori Ali Ajdini është tërhequr nga akuza ndaj Mehdi Krasnqiit i cili ngarkohej për veprën penale të sulmit.

Prokurori ka deklaruar se provat, deklaratat e të pandehurve, të dëmtuarve dhe dëshmitares janë kundërthënëse sa i përket akuzës për sulm që akuzohet Krasniqi.

Ai ka thënë se s’ka prova se i njëjti ka kryer veprën penale të sulmit.

“Pos kësaj vepra penale “sulmi” nga neni 184 nuk mund të mbetet në tentativë, sepse natyra e saj është e tillë që e përjashton tentativën. Në këtë kuptim heqi dorë nga ndjekja penale ndaj të pandehurit Mehdi Krasniqi për veprën penale “sulmi”, nga neni 184 par.2 të Kodit Penal”, ka thënë prokurori Ajdini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mehdi Krasniqi akuzohej se kishte tentuar ta godasë me thikë mikun e tij pasi kishin pasur mosmarrëveshje lidhur me pensionin e babës së gruas së tij. Sipas aktakuzës, Krasniqi ngarkohej se ka kryer veprën penale të sulmit nga neni 184 paragrafi 2 i Kodit Penal, ku specifikiohet se kushdo që i shkakton lëndim të rëndë trupor duke përdor mjet të rrezikshëm dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 3 vite.

Pas heqjes dorë të prokurorit nga ndjekja penale e të akuzuarit, gjykatësi i çështjes Gazmend Bahtiri tha se hudhet aktakuza dhe pushon procedura penale lidhur me të akuzuarin për veprën penale të sulmit.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega Podujevë, i akuzuari Krasniqi është deklaruar i pafajshëm. Ai ka thënë se nuk është e vërtetë se ka goditur të dëmtuarin.

Bashkë me të akuzuarin Mehdi Krasniqi në të njëjtën aktakuzë ishte dhe Afrim Beqiroviq, ndaj të cilit është veçuar procedura penale pasi jeton jashtë shtetit.

Sipas aktakuzës së datës 30 nëntor 2020, Mehdi Krasniqi ngarkohej se më 13 gusht të vitit 2020, rreth orës 11:00, në fshatin Halabak, Komuna e Podujevës, për arsye se i pandehuri së bashku me bashkëshorten e tij, pretendojnë se i takon një pjesë e pasurisë – pensionit nga babai i saj i ndjerë. Gjithnjë sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje me tani të dëmtuarin Afrim Beqiroviq – vëllau i bashkëshortes së Mehdi Krasniqit, me dashje dhe me përdorim të forcës ndaj personit tjetër, nxjerr thikën dhe tenton ta godasë tani të dëmtuarin Beqiroviq./BetimipërDrejtësi