KUNDËRSHTOHET HUDHJA E AKTAKUZËS KUNDËR KRYETARIT TË MALISHEVËS, RAGIP BEGAJ

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjakovë – Ragip Begajt, Kryetarit të Komunës së Malishevës i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovës, i është refuzuar kërkesa për hudhje të aktakuzës. Begaj në seancën fillestare, ishte deklaruar se ndihet i pafajshëm për veprën me të cilën ngarkohet.

Në seancën e së hënës, gjyqtari Shaqir Zika, ka refuzuar kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës të parashtruar avokati mbrojtës i të akuzuarit, ndërsa palët i ka udhëzuar në përdorimin e mjeteve juridike në afatin e paraparë ligjor.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Emrush Kastrati, në këtë seancë, kishte kërkuar kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, duke kërkuar pushimin e procedurës penale. Në anën tjetër, prokurori special, Haki Gecaj, ka thënë se provat e mbështesin aktakuzën dhe se janë të pranueshme dhe të bazuara.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës akuzon Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, me pretendimin se gjatë muajve qershor-gusht 2014, ka shpërdorur pozitën zyrtare apo autorizimet, me qëllim që t’i shkaktoj dëm dhe t’ia shkelë të drejtat nga marrëdhënia e punës të dëmtuarit Shemsi Morina. Në bazë të kontratës së punës, i dëmtuari do t’i kryente detyrat e punës Drejtor në SHFMU “Ganimete Tërbeshi”, e vlefshme deri më 1 tetor 2015, ndërsa i pandehuri me dashje dhe me dijeni ka shkelur dispozitat e Ligjit të Punës, duke shpallur konkursin për Drejtor të Shkollës, kurse të dëmtuarit i ndërpritet marrëdhënia e punës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë