KUNDËRSHTOHET HUDHJA E AKTAKUZËS, CAKTOHET SHQYRTIMI KRYESOR KUNDËR TRE ZYRTARËVE TË VITISË PËR KORRUPSION

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Tre zyrtarët e Komunës së Vitisë nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë paraqitur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan. Të akuzuarit Hidajete Aliu, Fadil Hoxha dhe Tajar Neziri në seancën fillestare ishin deklaruar se ndihen të pafajshëm me veprat që ngarkohen.

Prokuroria Themelore në Gjilan akuzon tre zyrtarët se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, ku sipas aktakuzës, Hidajete Aliu në cilësinë e zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër e Pronë në Viti, në vitin 2014 kishte bërë në mënyrë të kundërligjshme ndërrimin e titullarit të pronës nga pronari Nue Ballabani në N.SH. “Agromorava” në Viti. Ndërsa Fadil Hoxha në cilësi të përgjegjësit të Kadastrit dhe Tajar Neziri si ushtrues detyre i kësaj Drejtorie pretendohet se kanë keqpërdorur pozitat e tyre duke nënshkruar këtë vendim.

Në seancën e së hënës, mbrojtësit e të akuzuarëve, avokatët Mustafë Musa, Ramiz Sulejmani dhe Rrustem Latifaj, deklaruan se nga ana e prokurorisë janë siguruar të gjitha provat, të cilat kanë të bëjnë me veprat penale për të cilat akuzohen të akuzuarit. Ata kanë kundërshtuar aktakuzën e prokurorisë.

Kryetarja e Trupit Gjykues Emine Salihu, ka refuzuar kundërshtimet dhe kërkesat për hudhjen e aktakuzës të parashtruar nga ana e mbrojtësve të të akuzuarëve, ndërsa ka caktuar shqyrtimet e ardhshme më 1 dhe 5 prill prej orës 9:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë