Kthehet në plotësim padia në rastin ku paditësit po kërkojnë anulimin e vendimeve të ish-avokatit dhe 3 banesa nga i padituri

Raporton: Albina KRASNIQI

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë në seancën e së mërkurës ka vendosur që të kthehet në plotësim padia, në rastin ku paditësit Ruhan dhe Xheladin Beboviq po kërkojnë anulimin e vendimeve të ish-përfaqësuesit të tyre, avokatit Hekri Buzoku dhe tri banesa nga i padituri Shefqet Gashi, me të cilin po pretendojnë se kishin lidhur kontratë për ndërtimin e përbashkët të një objekti banesor-afarist.

Paditësi Ruhan Beboviq me padi gjithashtu ka kërkuar që i padituri t’ia paguajë shumën prej 250 euro në emër të qirasë prej muajit maj të vitit 2013 deri më 25 shkurt të vitit 2016, në shumën e përgjithshme prej 5 mijë e 500 euro me kamatë ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në seancën e së mërkurës përfaqësuesi i paditësve, avokati Begzad Hajrullahu tha se qëndron pranë padisë dhe kërkesëpadisë për anulimin e aneks-kontratës dhe veprimeve juridike të ndërmarra nga ish-përfaqësuesi i paditësve, avokati Hekri Buzoku.

Hajrullahu gjithashtu tha se i propozon gjykatës që të dëgjohen paditësit në mënyrë që të sqarojnë rrethanat dhe pretendimet në lidhje me kërkesëpadinë e tyre dhe i njëjti gjithashtu ka propozuar të dëgjohet edhe Arsim Ademi, pasi që i njëjti ka njohuri të mjaftueshme në lidhje me negociatat e zhvilluara në mes palëve ndërgjyqëse.

Ai po ashtu tha se qëndron edhe prapa propozimeve të bëra në seancën e kaluar lidhur me ekspertizën financiare dhe daljen në vendshikim.

Në pyetjen e gjyqtares Donikë Dobruna, se a mund ta sqarojnë qëndrimin e tyre lidhur me çështjen e ngritur nga pala e paditur në padi, ku thuhet se padia është e pasafatshme, avokati Hajrullahu ka thënë se paditësit kanë ushtruar padi kur kanë kuptuar së janë dëmtuar.

I njëjti theksoi se sa i përket pretendimeve të palës së paditur në lidhje me kompensimin për metra katror të cekura në përgjigje në padi, kjo çështje mund të sqarohet me rastin e daljes së gjykatës në vend të ngjarjes me ekspertin përkatës.

I pyetur nga gjykatësja Dobruna se cila është kërkesa e tyre specifike e parashtruar me anë të padisë fillestare, avokati Hajrullahu ka thënë se kërkesa ka të bëjë me anulimin e aneks-kontratës.

Po ashtu, shtoi se paditësit nuk kanë qenë në Kosovë në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate, pasi që njëri ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tjetri në Zvicër.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurit, avokati Shemsi Uka tha se të gjitha provat janë të vërtetuara tek zyra noteriale dhe të nënshkruara nga ana e paditësit si dhe ka kërkuar nga gjykata që në kuptim të nenit 122, paragrafi 2 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve ta hudh poshtë padinë si të pasafatshme.

Avokati Uka gjithashtu tha se e drejta për anulimin e kontratës shuhet pas kalimit të një afati nga dita e lidhjes së kontratës dhe se me rastin e caktimit të këtij afati, nuk janë marrë për bazë elemente objektive dhe subjektive, prandaj e drejta e të dëmtuarit për anulimin e  kontratës do të shuhej me skadimin e afatit njëvjeçar.

I njëjti gjithashtu i ka dorëzuar gjykatës edhe provën-deklaratën nën betim të dhënë nga Arsim Demi, të vërtetuar tek noteri.

Më pas, gjykatësja Dobruna ka obliguar palën paditëse që në afat prej tre ditëve të bëjë plotësimin e padisë duke përcaktuar qartë kërkesat e paditësve.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 21 shkurt 2022.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 28 prill 2016, paditësit Ruhan dhe Xheladin Beboviq kanë lidhur kontratë me të paditurin Shefqet Gashi për ndërtimin e përbashkët të një objekti banesor-afarist dhe sipas kësaj kontrate ia kanë dhënë paluajtshmërinë e tyre të paditurit Gashi, i cili është pronar i N.T.N “Labi Com” për ndërtim, në shkëmbim të ndarjes së njësive ndërtimore.

Në padi thuhet se sipas kontratës, paditësit Ruhan Beboviq do t’i takonin nga dy banesa dhe se i padituri Gashi ka qenë i obliguar që në afat prej 24 muajve nga dita e marrjes së lejes ndërtimore dhe në afat prej 15 ditësh nga dita e kryerjes së objektit, paditësve t’ua dorëzojë njësitë ndërtimore sipas parimit “Çelësa në dorë”.

Po ashtu, thuhet se i padituri kishte marrë obligim që paditësit Ruhan Beboviq t’ia paguajë shumën prej 250 euro në emër të qirasë nga momenti i hyrjes në disponim të paluajtshmërisë e deri në dorëzimin e banesave.

Sipas padisë, paditësit me të paditurin Gashi më 23 mars 2015 kishin lidhur një aneks-kontratë për ndarjen e banesave, sipas të cilës paditësit Ruhan Beboviq i janë ndarë 8 banesa dhe 4 garazha, ndërsa paditësit Xheladin Beboviq 9 banesa dhe 4 garazhe dhe pjesa tjetër i ka takuar të paditurit Gashi.

Tutje, në padi thuhet se i padituri nuk i ka përmbushur obligimet ndaj paditësit Ruhan Beboviq për pagesën prej 250 euro çdo muaj dhe i njëjti është munduar që të komunikojë me të paditurin në mënyrë që të vendosin për ndarjen e banesave, mirëpo i padituri nuk ka shprehur gatishmëri duke thënë se është i zënë.

Në padi thuhet se i padituri ka bërë ndryshime në plan të ndërtesës dukë shpërfillur kërkesat e paditësve dhe se është vërtetuar që aneks-kontratën e kishte nënshkruar ish-përfaqësuesi i paditësve, avokati Hekri Buzoku dhe se i njëjti nuk i ka përfaqësuar interesat e paditësve ashtu siç duhet.

Sipas padisë, paditësit kanë angazhuar edhe një ekpert-gjeometër dhe sipas matjeve të bëra ka konstatuar se banesat e paditësit Ruhan Beboviq i kanë 500.9m2  hapësirë të shfrytëzueshme, ndërsa me kontratë të njëjtit i janë premtuar 600m2 , ndërsa paditësit Xheladin Beboviq ka konstatuar se i janë ndarë 553m2  hapësirë e shfrytëzueshme dhe të njëjtit i mungojnë 47m2 .

Mbi këtë bazë, paditësit po kërkojnë nga gjykata anulimin e veprimeve juridike të ndërmarra nga ish-avokati i tyre Hekri Buzoku në emër të paditësit Ruhan Beboviq, të cilat kanë rezultuar me lidhjen e aneks-kontratës për ndarje të banesave.

Po ashtu, me padi, paditësit po kërkojnë të obligohet i padituri Gashi që paditësit Ruhan Beboviq t’ia ndajë dy banesa ose kompensimin në të holla sipas vlerës së banesave dhe t’ia paguajë shumën prej 250 euro në emër të qirasë prej muajit maj të vitit 2013 deri më 25 shkurt 2016 me kamatë ligjore dhe të obligohet Gashi që t’ia ndajë paditësit Xheladin Beboviq një banesë në emër të gjitha banesave që janë dhënë në hapësirë “bruto” ose kompensimin e të hollave sipas vlerës së banesës si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndërkaq, në përgjigjen në padi të dhënë më 22 mars 2021, i padituri në bazë të nenit 122, par. 2 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve ka kërkuar nga gjykata që padia të hudhet poshtë si e pasafatshme, pasi që kontrata bazë është lidhur më 13 maj 2016, aneksi i të njëjtës është lidhur më 23 mars 2016, ndërsa padia është ushtruar më 28 prill 2016.

Gjithashtu në përgjigjen në padi thuhet se sipas matjeve private që i kanë bërë paditësit me gjeometrin Xheladin Osmani tek paditësi Ruhan Beboviq rezulton sipërfaqja më e madhe prej 12,16 m2  kurse tek paditësi Xheladin Beboviq rezulton sipërfaqja prej 16,61m2  duke qenë se me kontratën bazë dhe aneksin e saj atyre u kanë takuar nga 600 mtani për këto sipërfaqe më të mëdha, kërkojnë kompensim adekuat të tyre sipas çmimit 800 euro për m2 .

I padituri gjithashtu në padi kishte bërë edhe një kundërpadi me të cilën kishte kërkuar nga gjykata që të detyrohen në këtë rast të paditurit- kundërpaditësit Beboviq që paditësit – kundëripadituri Gashi, t’ia kompensojnë sipërfaqet e banesave që i kanë më shumë se sa në kontratën mbi ndërtimin e përbashkët dhe atë Ruhan Beboviq shumën prej 9 mijë e 728 euro për sipërfaqen prej 12.16 m2 dhe Xheladin Beboviq shumën prej 13 mijë e 280 euro për sipërfaqen prej 16.61 m2 si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë