Kthehet në plotësim padia në rastin ku “KEP Trust” po kërkon kthimin e borxhit mbi 5 mijë euro

Raporton: Alban MEHMETAJ

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka kthyer në plotësim padinë në rastin ku paditësja, institucioni mikro-financiar “KEP Trust”,  po kërkon kthimin e borxhit prej 5 mijë e 43 euro nga të paditurit, Sefedin Vuthi dhe Shpresa Vuthi.

Gjykatësi Migjen Kastrati e mori këtë vendim pasi që paraprakisht, i autorizuari i paditëses, Labinot Lulaj ka deklaruar se duhet të bëhet zvogëlimi i borxhit të përshkruar si në padi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lulaj tha se shuma e mbetur papaguar nga ana e të paditurve është 5 mijë e 43 euro e 93 centë, pasi siç tha ai nga data e paraqitjes së padisë në gjykatë të paditurit kanë paguar kohë pas kohe të holla duke e zvogëluar borxhin.

Pas kësaj, gjykatësi Kastrati mori vendim që paditëses, padia t’i kthehet në plotësim, duke e obliguar të njëjtën që në afat prej tre ditësh nga dita e marrjes së aktvendimit, ta plotësojë padinë.

Gjykatësi Kastrati njoftoi se seanca e radhës do të caktohet pasi të plotësohen kushtet procedurale për mbajtjen e së njëjtës.

Ndryshe, në padinë e ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, më 8 janar 2020, thuhet se institucioni mikro-financiar “KEP Trust”, më 5 dhjetor 2017, me të paditurit Sefedin e Shpresa Vuthi kishte nënshkruar marrëveshje për kredinë në shumën prej 5 mijë euro, e cila shumë sipas marrëveshjes duhej të paguhej për 36 muaj më këste mujore, duke përfshirë edhe normën nominale të interesit vjetor dhe normën efektive të interesit vjetor.

Sipas padisë, të paditurit nuk i ishin përmbajtur kësaj kontrate, respektivisht nuk i kanë paguar borxhin paditëses “KEP Trust”.

Andaj mbi këtë bazë paditësja “KEP Trust”, po kërkon nga gjykata që të detyrojë të paditurit që asaj t’i kthejnë borxhin në shumën prej 5 mijë e 43 euro e 93 centë. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë