Kthehet në plotësim ekspertiza gjeodezike në rastin ku paditësja po kërkon kompensim për shpronësimin e pronës

Raporton: Valdita KELMENDI

Prishtinë – Me propozimin e përfaqësuesit të paditëses E.M, me përfaqësues ligjor babai i saj Bujar Marina, avokatit Xhavit Krasniqi është kthyer në plotësim ekspertiza gjeodezike, në rastin ku paditësja po kërkon kompensimin për shpronësimin e pronës nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Kjo për shkak se i njëjtit ka pasur vërejtje në këtë ekspertizë, pasi që sipas tij rezulton se nuk është përfshirë në vlerësim edhe një objekt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Morina tha se sipas marrëveshjes së kundërligjshme mbi kompensimin e pronës në mes të ëmës së paditëses E.M, për të cilën tha se atëherë ka qenë e moshës 8 vjeçare dhe të paditurës,  figuron se kanë qenë dy objekte banimi me sipërfaqe të njëjta nga 64.89 metra 2, e që njëri është vlerësuar nga e paditura me çmim prej 15 mijë e 898 euro e 5 centë, kurse i dyti me çmim prej 17 mijë e 25 euro e 5 centë.

Sipas tij, eksperti sipas të gjitha gjasave  e kishte vlerësuar vetëm objektin e parë e jo edhe të dytë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës KEK, avokati Bujar Kelmendi ka deklaruar se mbesin pranë përgjigjes në padi, duke shtuar se ekspertizën e ka pranuar me kohë dhe për të njëjtën nuk ka pasur vërejtje.

Po ashtu, i njëjti ka thënë se e paditur duhet të jetë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Pas kësaj, përfaqësuesi i paditësit, avokati Krasniqi tha se ashtu siç kanë deklaruar në parashtresën e datës 5 janar 2021, bëjnë zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv, ashtu që përveç të paditurës ”KEK” tani e tutje do te jetë edhe MMPH.

Në seancën e së premtes ka qenë prezent edhe eksperti Lulzim Dema, i cili ka bërë elaborimin dhe ka dhënë sqarime lidhur me ekspertizën e gjeodezisë, mirëpo edhe pas kësaj përfaqësuesi i paditëses nuk është pajtuar dhe e njëjta është kthyer në plotësim.

Andaj, gjykatësja Ilire Vitija tha që seanca e radhës do të caktohet pas marrjes së ekspertizës plotësuese të gjeodezisë si dhe do të ftohet me ftesë të rregullt MMPH.

Ndryshe, në padinë e ushtruar më 27 mars 2012, paditësja E.M, po kërkon nga e paditura  Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kompensimin e patundshmërisë.

Në padi thuhet se paditëses E.M, i ishte eksproprijuar patundshmëria e saj, e cila ishte evidentuar sipas certifikatës së pronës në zonën katastrale Hade si dhe dy objekte banimi me sipërfaqe secili prej tyre nga 64.89m2, ashtu dhe  objekte përcjellëse dhe tokë bujqësore, ara të klasës 2 dhe 3, një livadh i klasës se 2 në sipërfaqe prej 766.50m2.

Lidhur me këtë ne padi thuhet se të gjitha këto ishin vlerësuar dhe paguar në një shumë  minimale, në kundërshtim me nenin 15 të Ligjit mbi Shpronësimin e Tokës së Paluajtshme.

Në këtë mënyrë, paditësja me padi pretendon se është dëmtuar e kjo e lë të kuptohet  se dhe marrëveshja e arritur mbi kompensim thuhet se së pari është në kundërshtim me dispozitat e cituara ligjore ashtu dhe në kundërshtim me nenin 139, të LMD-së.

Mbi këtë bazë, paditësja E.M po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia e saj të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura KEK, ta shpronësojë pronën e saj me sipërfaqe 64.84m2 si dhe objektet përcjellëse, tokën bujqësore me sipërfaqe prej 766.50m2 si dhe t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar nga data e ushtrimi të padisë e deri te pagesa definitive.

Kurse, e paditura KEK me anën e përgjigjes në padi të ushtruar më 20 prill 2015, e konteston padinë dhe kërkesëpadinë si të pabazuar të paditëses E.M.

Në përgjigjen e padisë e njëjta thotë se pretendimet e paditëses E. janë të pabazuara sepse kemi të bëjmë me një çështje që është vendosur në procedurën administrative, po ashtu thotë se është e lidhur marrëveshja për kompensimin e pronës  dhe pasurisë  pranë  Ministrisë  së Mjedisit dhe Planifikimit  Hapësinor, ku paditëses E.M, iu ka kompensuar shpronësua me nr. 765, ngarkesën kadastrale 361 , zonë kadastrale  Hade në shumë prej 40 mijë 604 euro e 41 centë.

Lidhur me këtë thuhet në përgjigjen në padi se e paditura ” KEK” i kryer të gjitha obligimet ndaj paditëses E.M.

Me anë të kësaj përgjigje në padi thuhet se nga provat e propozuara nga ana e paditëses i propozoi gjykatës që padia dhe kërkesëpadia  e paditësit E.M  të refuzohet në tërësi si e pabazuar. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë