Kthehet në plotësim ekspertiza financiare në rastin ku paditësit po kërkojnë nga KEK kompensimin e pagave për punën shtesë

Raporton: Valdita KELMENDI

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka kthyer në plotësim ekspertizën financiare në rastin ku gjashtë paditësit Arif Mramori, Naim Perquku, Selami Shehu, Isref Perquku, Rrustem Berisha dhe Selman Bislimi po kërkojnë  nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kompensimin e pagave për punën shtesë gjatë fundjavës.

Në seancën e premtes, përfaqësuesi i paditësve, avokati Sylejman Klinaku është deklaruar lidhur me kërkesëpadinë e tij të parashtruar në këtë gjykatë dhe tha se qëndron në tërësi pranë padisë dhe kërkesës së saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket ekspertizës financiare, avokati Klinaku tha se e kishte pranuar me kohë  dhe ndaj të njëjtës nuk ka pyetje e as vërejtje.

Ndërsa, përfaqësuesi i palës së paditur KEK, i autorizuari Jetullah Mehmeti tha se e kundërshtojnë padinë dhe kërkesëpadinë e paditësve si të pabazuar për faktin se në asnjë provë faktike nuk e kanë dëshmuar se kanë punuar jashtë orarit të punës së tyre, ku e paditura (KEK) u ka mbetur borxh lidhur me kërkesat e tyre.

Ai po ashtu tha se qëndron pranë deklarimeve të theksuara në seancat e kaluara dhe pranë përgjigjes në padi, kurse për ekspertizën financiare tha se ka vërejtje dhe pyetje.

Ndryshe, në këtë seancë është deklaruar edhe eksperti nga lëmia financiare Remzi Smajli, i cili ka thënë se mbetet në tërësi pranë hartimit të ekspertizës të 20 tetorit 2021.

Eksperti Smajli në këtë seancë ka deklaruar se kanë vepruar sipas detyrave të dhëna nga gjykata, ku thuhet se eksperti duhet të bëjë llogaritjen e ditëve të fundjavës dhe në këtë mënyrë kanë vepruar.

Pas kësaj, gjykatësja Shpresa Veseli e detyroi ekspertin financiar që të bëjë plotësimin e ekspertizës financiare, ku detyrë e tij do të jetë  të përqendrohet vetëm tek orët shtesë, të cilat konsiderohen si orë jashtë orarit të rregullt dhe jashtë ndërrimit të punës së punëtoreve – paditësve, për të cilat paditësit nuk janë paguar.

Po ashtu, gjykatësja Veseli ka deklaruar se e paditura KEK detyrohet që të bashkëpunojë me ekspertin financiar dhe t’ia ofrojë të gjitha shënimet e nevojshme për përpilimin e kësaj ekspertize si dhe detyrohet eksperti që të përpilojë ekspertizën në dy variante.

Në njërin, për periudhën e njëjtë deri me përpilimin e ekspertizës më 1 dhjetor 2011, kurse në variantin e dytë, ipas kontratave të punëtoreve, nga 1 mars 2018 e deri tek përpilimi i ekspertizës dhe në afat  prej 15 ditësh t’ia dorëzojë gjykatës plotësimin e ekspertizës.

Ndryshe, sipas padisë së ushtuar më 17 nëntor 2020  paditësit Arif Marmori, Naim Perquku, Selami Shehu, Istref Perquku, Rrustem Berisha dhe Selman Bislimi po kërkojnë nga e paditura KEK që të bëjë pagesat shtesë për ditët e punës gjatë fundjavës, të cilët janë obliguar të punojnë.

Në padi thuhet se gjashtë paditësit janë të gjithë të punësuar në KEK, sipas kontratave dhe pozitave tek divizioni i prodhimit të qymyrit.

Prandaj me anë të kësaj padie, paditësit Arif Marmori, Naim Perquku, Selami Shehu, Istref Perquku, Rrustem Berisha dhe Selman Beslimi po kërkojnë nga gjykata të aprovohet  në tërësi  kërkesëpadia e tyre si dhe të vërtetohet si e bazuar se e paditura ka kryer veprime diskriminuese ndaj paditësve.

Po ashtu, paditësit po kërkojnë nga gjykata që të detyrohet e paditura Korporata Energjetikë e Kosovës (KEK) që në emër të pagesës shtesë për punë gjatë vikendit, t’ua kompensojë paditësve pagat, në shuma të cilat do precizohen pas marrjes së ekspertizës financiare.

Ndërsa, sipas përgjigjes ne padi të ushtruar më 28 prill 2021, e paditura KEK e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësve si për nga baza dhe për nga lartësia. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë