Kryetarit të “Dardanëve” dhe të akuzuarit tjetër u refuzohet marrëveshja për pranim fajësie, të tjerët deklarohen të pafajshëm

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 12, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar marrëveshjen për pranim të fajësisë që kryetari i tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, dhe të akuzuarit tjetër, Alban Geci, kishin arritur me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Berisha, akuzohet për fajde, kurse Geci, akuzohet për organizimi të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Pasi kjo marrëveshje është refuzuar në seancën e së premtes, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga ana e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Albina Shabani-Rama, të akuzuarit Berisha dhe Geci nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit special Naim Abazi, të pafajshëm janë deklaruar edhe të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu, Bujar Gerbeshi dhe Rrahim Brahimi, të cilët ngarkohet për veprat penale “krim i organizuar”, “fajde”, “detyrim”, “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Refuzimi i marrëveshjes për pranim të fajësisë e lidhur mes PSRK-së dhe të akuzuarve Berisha dhe Geci, sipas gjykatës Shabani-Rama ishte bërë për shkak se në këto marrëveshje nuk ishin plotësuar kushtet që i parasheh Kodi Penal.

Ajo tha se në këto marrëveshje nuk kishte qenë e përshkruar gjendja faktike, kualifikimi ligjor nuk kishte përkuar me atë që ishte paraqitur në aktakuzë, në marrëveshje nuk kishte qenë e përfshirë përgjegjësia e të akuzuarve në lidhje me kompensimin e palës së dëmtuar si dhe nuk kishte qenë i përfshirë rekomandimi për konfiskim të sendeve që ishin propozuar në aktakuzë.

Kështu, mbrojtësi i të akuzuarit Geci, avokati Asdren Hoxha kërkoi nga gjykata kohë shtesë për të plotësuar këtë marrëveshje.

Ndryshe, në marrëveshje për pranim të fajësisë për të akuzuarin Geci, ishte paraparë dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, dënim i cili do të zëvendësohej në dënim me gjobë, ndërsa për të akuzuarin Berisha ishte paraparë dënimi 104 ditë burgim, aq ditë sa ai kishte qëndruar nën masën e arrestit shtëpiak.

Në fund të seancës të së premtes, gjykatësja Shabani-Rama i ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) aktakuzën ndaj Dalip Brahimit, Ismet Salihut, Bujar Gërbeshit, Rrahim Brahimit, Lulzim Berishës dhe Alban Gecit, e kishte ngritur më 8 maj 2019.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, nga data e pavërtetuar e deri me 20 dhjetor 2018 në Prishtinë, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare u kishin dhënë para me fajde të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender Blakqori dhe Besim Beqiri.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Bejtush Zhugolli, në gusht 2008, shkurt dhe korrik 2010, nga i akuzuari Dalip Ibrahimi kishte marrë gjithsej shumën prej 165,914.00 euro, kurse i dëmtuari Zhugolli, i kishte kthyer përmes transaksioneve bankare 599,000.00 euro, kurse për pjesën tjetër të mbetur borxh i akuzuari Dalip Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve Bejtush dhe Ilmi Zhugoli një lokal me çmim 167,000.00 euro, tre banesa në vlerë prej 146,805.00 euro, një veturë “Mercedes”, e cila pasuri që i është marrë të dëmtuarit Bejtush Zhugolli, tejkalon shumë prej një milion euro.

Ndërkaq, thuhet se i akuzuari Dalip Brahimi, me qëllim që të mbulonte këtë diferencë kaq të madhe të parave, së bashku me të dëmtuarin Bejtush Zhugolli kishin nënshkruar një kontratë te noteri, kinse i akuzuari Dalip Brahimi i shiste të dëmtuarit Zhugolli, një parcelë në shumë prej 1,001,200.00 euro, edhe pse këtë pronë i akuzuari e kishte blerë në vlerë prej 100,000.00 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit para në shumë të ndryshme me përqindje prej 5-15% i kishin dhënë edhe të dëmtuarit Skënder Blaqori, dhe në momentin kur ai nuk kishte arritur të kthejë kamatën, i akuzuari Dalip Brahimi përmes të dëmtuarit Bejtush Zhugolli dhe një personi me emrin Ekrem Leci, e kishin detyruar Blakqorin që të nënshkruajë një kontratë për shitblerjen e banesës së lagjen “Dardania”, në Prishtinë, në sipërfaqe prej 161.81 metra katror, dhe të njëjtat para që i dëmtuari Blakqori i kishte marrë nga shitja e banesës, e kishin detyruar që t’ua paguajë “borxhet” atyre.

Në aktakuzë thuhet se kjo patundshmëri ishte regjistruar në emër të Dalip Brahimit, ndërsa i dëmtuari Blakqori gjatë periudhës kohore 2010-2019, kishte marrë para me fajde nga i akuzuari Gërbeshi, i cili përveç parave që i kishte marrë në emër të fajdesë, ia kishte marrë edhe një banesë në lagjen “Mati 1”, në sipërfaqe 86.16 m2.

I dëmtuari Jakup Blakqori, sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2010, kishte kontaktuar me vëllain e tij Skënderin, i cili i kishte thënë se i akuzuari Bujar Gërbeshi, do t’i sjell 15.000 euro me qëllim të pagesës së doganës për qeramikat që i kishin importuar, dhe me të arritur i akuzuari Gërbeshi tek i dëmtuari Jakup Blakqori, i kishte thënë se 8,100.00 euro, do t’i ndalë në emër të kamatës së borxhit të vëllait të tij Skënderit, kurse 6,900.00 euro mund t’i marrë.

Kështu, siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari Jakup Blakqori, i kishte marrë shumën prej 6,900.00 euro dhe për këtë shumë kishte paguar 10,500.00 euro në emër të kamatës.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Besim Beqiri kishte marrë para me fajde nga i akuzuari Gërbeshi, i cili e kishte detyruar Beqiri me të bijtë e tij që të paguanin kamatës e kontraktuar në shumë prej 4.000 euro.

PSRK-ja të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi po i ngarkon me veprën penale “Fajde”.

Po ashtu, të njëjtit po dyshohen se në bashkëkryerje dhe më të akuzuarit Dalip Brahimin në krye, kishin marrë dhe kishin negociuar për vete shumën dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender dhe Jakup Blakqori.

PSRK të njëjtit po i ngarkon edhe me veprën penale “krim i organizuar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gërbeshi gjatë periudhës kohore janar 2017, e deri me 20 dhjetor 2018, i kishte dhënë para me fajde të dëmtuarit Afrim Muçiqit, në shumë rreth 10,000.00 euro, ndërsa i dëmtuarit Muçiqi ishte detyruar që atij t’ia kthejë shumën prej 10-30% në emër të kamatës.

Gërbeshin prokuroria po e ngarkon me veprën penale “fajde”, nga neni 343 paragrafi  lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dalip Brahimi, më 6 shtator 2015 në Prishtinë, e kishte goditur në pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Skender Blakqori, me qëllim që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, ku i dëmtuari Blakqori kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Brahimi që t’ia kërkojë lirimin e banesës, por ai e kishte kanosur rëndë të dëmtuarin me fjalët “Ta rujt Zoti djalin”.

Prokuroria të akuzuarin Dalip Brahimi, po e ngarkon edhe  me veprën penale “detyrim”, nga neni 340 par.1 të KPRK-së.

Të akuzuarit Alban Geci dhe Ismet Salihu, gjatë periudhës kohore të pavërtetuar e deri me 20 dhjetor 2018, akuzohen se në lagjen “Dardania”, në Prishtinë,  në lokalin e tyre kishin organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetent shtetëror.

Prokuroria të akuzuarit Geci dhe Salihu po i ngarkon me veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenin 300, par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, i akuzuari Rrahim Brahimi, akuzohet se gjatë periudhës janar 2017 e deri me 20 dhjetor 2018, e kishte ndihmuar babanë e tij, të akuzuari Dalip Brahimin  që të njëjtit t’i sjellë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte kontaktuar dhe ndërmjetësuar më të dëmtuarin Gentrit Beqiri, në lidhje me borxhin që babai i tij, Besim Beqiri ia kishte të akuzuarit Dalip Brahimi, duke i kërkuar që i njëjti t’i përmbahet obligimeve që kishte ndaj të babait të tij Dalip Brahimit.

PSRK, edhe të akuzuarin Rrahim Brahimi po e ngarkon me veprën penale “fajde”, nga neni 343 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

I akuzuari Lulzim Berisha, gjatë periudhës kohore janar 2017, e deri më 20 dhjetor 2018, akuzohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin Gërbeshi që të njëjtit t’i sjellë dobi pasurore, duke kontaktuar dhe ndërmjetësuar me të dëmtuarin Afrim Muçiqi, duke i kërkuar që i njëjti ë përmbahet obligimeve që kishte ndaj të akuzuarit Gërbeshi.

Për këto veprime i akuzuari Berisha po ngarkohet me veprën penale “fajde”, nga neni 343 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi