Kryetari i Novobërdës mohon fajin dhe thotë se do të mbrohet në heshtje, eksperti financiar thotë se dëmi është mbi 12 mijë euro

svt
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Janar 20, 2020

Viti – Pas dështimit të katër seancave, të hënën, ka arritur të mbahet gjykimi ndaj kryetarit të Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, i cili ka deklaruar se ndihet i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe se do të mbrohet në heshtje.

Ai akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e Komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune, me të cilin veprim pretendohet se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, i akuzuari Ivanoviq, ka thënë se nuk ka mundur të merrte pjesë në seanca për shkak të obligimeve që sipas tij, i ka pasur.

Shqyrtimi gjyqësor lidhur me këtë rast ka vazhduar me procedimin e provave, me dëgjimin e dëshmitarëve, Vaxhid Idrizi, Zijadin Sylejmani si dhe eksperti financiar, Ibrahim Tahiri.

Eksperti financiar, Ibrahim Tahiri, tha se pas elaborimit të dokumentacionit të dhënë nga prokuroria, kryetari Ivanoviq, ka bërë shkelje ligjore, ku sipas tij, i ka shkaktuar Komunës së Novobërdës dëm material në shumën prej 12,220.00 euro.

Eksperti Tahiri, tha se i akuzuari Ivanoviq i ka dhënën në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e Komunës së Novobërdës Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, duke i shkaktuar dëm material Komunës dhe se në kundërshtim me ligjin, i ka dhënë një zyrë të objektit të Komunës së Novobërdës.

Ai tha se është  e nevojshme hapja e tenderit për shfrytëzimin e terriorit për gjueti, në bazë të Ligjit 02/L-53, dhe udhëzimi administrativ 10/2017, i Drejtorisë Qendrore të Sekretariati të Gjuetisë, sepse sipas tij, me këtë ligj definohen të gjitha të drejtat dhe obligimet e shoqatës.

Sipas tij, shoqatat tjera janë dëmtuar për faktin se nuk kanë pasur mundësi fare të marrin pjesë në tenderët aktual të cilat janë shpallur.

Dëshmitari Vaxhid Idrizi, kryetar i komisionit dhe jurist i Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, ka thënë se kjo shoqatë prej formimit e ka shfrytëzuar territorin e Novobërdës.

Sipas tij, lejen për shfrytëzimin e territorit për gjueti e marrin nga komuna me afat të caktuar, dhe se në këtë rast kanë pasur leje në afat prej 10 vjetësh.

Ai ka shtuar se shoqata e tyre nuk ka ndonjë lokal të caktuar për seli, por që kryetari i Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, sipas tij, ua kishte dhënë në shfrytëzim një zyre në objektin e Komunës dhe atë në pjesën e tavanit.

“Lejen për shfrytëzimin e territorit për gjueti e marrim nga Komuna me afat të caktuar, në rastin konkret e kemi për 10 vjet, shoqata jonë Komunës i paguan taksa sa është e paraparë dhe nuk ka ndonjë lokal të caktuar, mirëpo duke ju falënderuar kryetarit të Novobërdës, na e ka dhënë në  shfrytëzim një zyrë, në objektin e Komunës dhe atë pa pagesë, një zyrë e cila nuk i ka plotësuar kushtet e punës se ka qenë në tavan”, ka thënë dëshmitari Idrizi.

Ai ka shtuar se përveç anëtarëve të shoqatës “Kalaja”, tjera shoqatave nuk u lejohet që të gjuajnë në territorin e Novobërdës dhe se sipas tij, kryetari i Komunës së Novobërdës, nuk ka bërë asnjë shkelje.

Dëshmitari tjetër, Zijadin Sylejmani, kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, ka deklaruar se ata e shfrytëzojnë dhe e kanë shfrytëzuar gjithmonë për gjueti territorin e Novobërdës.

“Unë jam kryetari i shoqatës “Kalaja,”, ne e kemi shfrytëzu dhe e shfrytëzojm territorin e Novobërdës, prej vitit 2004, por që është shfrytëzuar edhe me herët. Leja për gjueti merret nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë përmes Federatës së Gjuetarëve të Kosovës, dhe me rastin e  marrjes së lejes nuk ka pasur ndonjë tender apo konkurs, por vetëm Ministria na i ka vazhduar përmes Komunës dhe Shoqata e Gjuetarëve “Ujku”, nuk e ka pas terrenin asnjëherë në territorin e Komunës së Novobërdës”, ka thënë dëshmitari Sylejmani.

Ai ka shtuar se kanë një zyrë me qira në fshatin Boston të Novobërdës dhe se më herët kanë shfrytëzuar një zyrë në objektin e Komunës, për të cilën nuk kanë paguar.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe ekspertit financiar, prokurori Arben Kadriu, i ka propozuar gjykatës që fjalën përfundimtare të jepet një ditë tjetër, ngase se i njëjti ka nevojë të përgatitet, të cilin propozim e ka aprovuar trupi gjykues, i udhëhequr nga kryetari Naser Maliqi.

Seancën tjetër, gjykatësi Maliqi e ka caktuar të mbahet më 14 shkurt 2020, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2018, pretendohet se më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i akuzuari si person zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja” ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune.

Me një veprim të tillë, prokuroria pretendon se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro.

Ndryshe, në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Gjilan, e kishte dënuar me 4,500 euro gjobë kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, me arsyetimin se ai ishte gjetur fajtor në një rast tjetër, për dy vepra tjera penale, atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit. /BetimipërDrejtësi