Kryetari i KRPP-së dhe anëtari i KPK-së thonë se sinajlizuesit duhet të marrin shembujt e SHBA-së të prezantuara në dokumentarin “Sinjalizuesit e korrupsionit”

80383044_10156372266202245_1158112749973143552_o
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Dhjetor 12, 2019

Prishtinë – Kryetari i Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, Osman Vishaj, duke iu referuar dokumentarit të realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Sinjalizuesit e korrupsionit” nga emisioni “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se sinjalizuesit e korrupsionit kanë një rol të madh në luftimin e korrupsionit.

Këtë deklarim Vishaj e bëri gjatë tryezës së mbajtur të enjten me titull “Sinjalizuesit në luftën kundër korrupsionit në prokurim publik”, të organizuar nga Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Demokraci Plus, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2019”.

“Kur flasim për sinjalizuesit, një dokumentar që e pashë, kanë rol të madh. Sinjalizimi është fushë e re, është ligj i ri në vendin tonë, por edhe në rajon”, tha Vishaj, duke shtuar se i njëjti edhe mund të keqpërdoret prej njerëzve apo interesave të ndryshme.

Praktika e mirë e Ligjit të Sinjalizuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shfaqur në dokumentarin “Sinjalizuesit e korrupsionit”, u përmend edhe nga përfaqësuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), prokurori Zejnullah Gashi, i cili tha se një ligj i tillë ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe se do të ishte i kompletuar nëse do të parashihej edhe çështja e kompensimit.

“Ky ligj është i kompletuar nëse parashikohet edhe kompensimi i sinjalizuesve, për shkak se edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikohet kompensimi i sinjalizuesve”, tha ai.

Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në analizën ligjore për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre “Sinjalizimi dhe mbrojtja e sinjalizuesve”, thekson rëndësinë e çështjes së kompensimit të sinjalizuesve, duke cekuar praktikat e mira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Legjislacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës parasheh kompensim për sinjalizues, nëse rastet e tyre rezultojnë me sukses. Varësisht nga faktorët relevant, shuma që një sinjalizues mund të kompensohet për rastin e sinjalizuar varion nga 15 e deri në 30% të shumës së konfiskuar”, thuhet në raport.

Sipas IKD-së, kompensimi i sinjalizuesve ka pasur një efekt pozitiv në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi aty ekzistojnë praktika të mira të sinjalizimit, mbrojtjes së sinjalizueve dhe shpërblimit të sinjalizuesve, të cilat sipas këtij Instituti mund të shqyrtohen për t’i përfshirë në legjislacionin e Kosovës, për të stimuluar rastet e sinjalizuesve.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe “Betimi për Drejtësi”, me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë, kanë realizuar dokumentarin “Sinjalizuesit e korrupsionit”, i cili shfaq praktikat e mira të sinjalizimit të shkeljeve dhe mbrojtjes së sinjalizuesve, të cilat i referohen rasteve të hulumtuara në disa shtete në ShBA, si në Washington DC, New York, Chicago dhe Miami.

Në këto katër shtete të SHBA-së janë intervistuar protagonistë sinjalizues të korrupsionit, aktiviteteve tjera kriminale dhe shkeljeve të ndryshme, përfaqësues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe gazetarë hulumtues.

Andaj, duke pasur parasysh faktin se Kosova ka një vit që e ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, qëllimi i realizimit të këtij dokumentari, të mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, ka qenë vetëdijesimi për praktikat e mira të sinjalizimit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mobilizuar të gjithë akterët institucional, zyrtarët publikë dhe punësuarit në sektorin privat për të luftuar keqpërdorimet përmes sinjalizimit.

Dokumentarin ekskluziv nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – “Sinjalizuesit e korrupsionit”, mund ta ndiqni në këtë link: https://betimiperdrejtesi.com/emisionet/dokumentari-ekskluziv-nga-shba-sinjalizuesit-e-korrupsionit/