Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u deklarua i pafajshëm për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Seanca filloi me 10 minuta vonesë për arsye se prokurori special Ali Rexha nuk i kishte dorëzuar provat mbrojtësit dhe të akuzuarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit avokati Shemsedin Pira deklaroi se pas konsultimit me të pandehurin janë të gatshëm të vazhdoj shqyrtimi fillestar me kusht që provat të sigurohen brenda ditës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se Lutfi Haziri në pozitën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që për vete ose persona tjerë të përfitojnë çfarëdo dobie pasurore, duke shkelur të drejtat e pjesëmarrësve tjerë në ankandin publik.

Fillimisht me datën 13 qershor 2014 ka marrë vendim për shpalljen publike për dhënien me qira të parkingjeve brenda qytetit brenda qytetit të Gjilanit. Pastaj më 1 gusht 2014 lidhur me këtë ankand publik, ka nënshkruar kontratën në mes të Komunës së Gjilanit të cilën e ka përfaqësuar, dhe përfaqësuesit-pronarit të N.T.P. “S.O.BEZI” Fitim Haziri. Pas një muaji jo të plotë përfaqësuesi i kompanisë së lartëpërmendur ka bërë kërkesë për ndryshimin e kontratës. Me këtë kërkesë ka kërkuar që të reduktohet kontrata duke i hequr disa parkingje që nuk kanë sjellë fitime të mira.

Me 1 shtator 2014 i pandehuri nga pozita e Kryetarit të Komunës së Gjilanit me vendimin në numër 551 formon komisionin për verifikimin e pretendimeve të kërkesës së Fitim Hazirit. Me datën 9 tetor 2014, duke mos i respektuar dispozitat e neneve 4 dhe 5 të Ligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të Komunës (Ligjin nr.04/L-144) i pandehuri nga pozita e Kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe përfaqësuesit-pronarit të kompanisë së lartpërmendur. Me këtë aneks kontratë Komuna e Gjilanit është dëmtuar në vlerë prej 168,000.00 euro,(për çdo vit nga 33,600.00 euro) kur të merret parasysh se kontrata është nënshkruar për pesë vjet. Me kontratën e parë biznesi N.T.P. “S.O.BEZI” ka qenë i obliguar që në emër të qerasë të paguaj vlerën vjetore prej 54,120.00 euro, ndërsa me aneks kontratë është zvogëluar obligimi për biznesin e lartcekur kështu që tani është i obliguar që të paguaj çmimin prej 20,520.00 eurove.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë