Kryetari i Dragashit kundërshton akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, ka bërë kërkesë për hedhjen e aktakuzës, e cila e ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Jenuzi, të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza, me arsyetim se është e pabazë.

Në këtë seancë të shqyrtimit të dytë, kanë bërë kundërshtimet e aktakuzës edhe Bean Haxhihasani, Vetim Hasani dhe Nexhat Selaj, të cilët poashtu i përfshin aktakuza, nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm.

Prokurori i rastit, Sefer Morina, ka kërkuar nga gjykata që të refuzojë kërkesat e të akuzuarve për hedhjen e aktakuzës. Ai ka shtuar se aktakuza është e bazuar në prova të nxjerra sipas ligjit dhe se nuk ka asnjë rrethanë që përjashton përgjegjësinë penale të të akuzuarve.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka njoftuar palët se ndaj kërkesave të të akuzuarve për hudhje të aktakuzës, do të vendosë me vendim me shkrim.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon  Salim Jenizin, se duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Poashtu, Bean Haxhihasani, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të urbanizmit në Komunën e Dragashit, ka leshur vendim me të cilin i është lejuar Nexhat Selajt, që të ndërtojë objektin afarist në pronë komunale.

I akuzuari tjetër, Vetim Hasani, akuzohet se duke qenë inspektor i ndërtimit në Komunën e Dragashit, nuk ka vepruar për të ndërprerë ndërtimin e objektit afarist të Nexhat Selajt, me material të përhershëm.

Ndërsa Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë