Kryetari i Apelit thotë se i kanë kryer të gjitha lëndët e shënjestruara për viza, bën thirrje të ndalet bojkoti i avokatëve

Lavdim Bajraktari - Konferenca - 10.01.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Janar 10, 2019

Prishtinë – Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, në një konferencë për media që ka mbajtur të enjten, ka bërë thirrje që sa më shpejt të ndalet bojkoti i avokatëve.

Sipas Shalës, raporti i gjykatësve dhe avokatëve është i rregulluar me ligj, duke shtuar se shpreson që problemi mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të tejkalohet sa më shpejt.

“Në Gjykatën e Apelit nuk kemi probleme me ta, për shkak se avokatët nuk kanë nevojë të kenë kontakt me gjyqtarë, sepse ne punojmë me kolegje të cilat janë të mbyllura por rastet kur kemi seanca publike, ata mund të paraqiten në çdo kohë, mirëpo nuk kemi kurrfarë problemi apo pengese në punë nga ana e avokatëve te gjyqtarët”, tha Shala në fjalën e tij.

Një deklaratë të tillë, Shala e dha të enjten në një konferencë për media ku prezantoi punën e bërë gjatë vitit të kaluar, ku tha se viti 2018 ka qenë më i suksesshëm për Gjykatën e Apelit që nga themelimi i saj.

Sipas tij, për herë të parë në histori të kësaj gjykate, numri i lëndëve të zgjidhura gjatë një viti është më i madh se numri i lëndëve të mbetura për vitin vijues.

“Për herë të parë në histori të kësaj gjykate, numri i lëndëve të zgjidhura gjatë një viti, kap shifër rekorde 13 mijë e 641 lëndë”, tha Shala.

Duke prezantuar punën e Apelit gjatë vitit të kaluar, Shala tha se kanë arritur të zgjidhin të gjitha lëndët që i kanë pasur të shënjestruara për viza duke shtuar se sa i përket lëndëve të korrupsionit si dhe lëndëve tjera në Departamentin e Krimeve të Rënda, atë për të Mitur Administrativ dhe në Kundërvajtje, Shala tha se qëndrojnë shumë mirë, pasi që asnjë lëndë nuk pret më shumë se gjashtë muaj për tu zgjidhur.

Problemin më të madh me lëndë, Shala tha se e kanë në Departamentin Civil dhe atë Ekonomik.

“Fatkeqësisht shumica e lëndëve të mbetura, 11 mijë e 552, janë të lemisë civile, ku kemi akoma raste të papërfunduara nga viti 2014. Por, lajm i mirë është se këtë javë, në Gjykatën e Apelit do të fillojnë punën 10 gjyqtarë të ri, 9 prej të cilëve i kam caktuar në lëminë civile. Ne shpresojmë dhe jemi të bindur se me angazhimin e tyre, numri i lëndëve do të bjerë dukshëm. Dhe se rezultatet to të vërehen qysh në tremujorin e parë të këtij viti”, tha Shala.

Me rritjen e numrit të gjyqtarëve, Shala tha se presin që të rrisin edhe cilësinë, pasi siç tha, deri më tani kanë punuar më shumë për shifra dhe statistika.

“Qëllimi i jonë tash është që të rrisim cilësinë pasi cilësia tash është më rëndësi shumë që të rritet pasi që deri tani kemi punuar më shumë për numra dhe statistika për shkak se kemi qenë të obliguar të punojmë më shumë, mirëpo tani do shiqojmë edhe të ngrisim cilësinë sidomos në lëmine civile me organizimin e kolegjeve profesionale që do të organizojmë çdo muaj, nëse është nevoja edhe shumë më shpesh”, tha Shala.

Si storie suksesi kryetari Shala e cilësoi edhe punën e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, që ishte themeluar në përputhje më Marrëveshjet e Brukselit dhe Shtojcën e Rregullores së KGJK-së për Organizmin e Brendshëm të Gjykatave.

Siç tha Shala, në këtë divizion janë shtatë gjyqtarë, kurse, lëndët e gjashtë komunave me shumicë serbe që ndodhen në jug të lumit Ibër, do të gjykohen në Prishtinë nga kolegje të përbëra nga dy gjyqtarë serbë dhe një shqiptar, e jo nga divizioni në Mitrovicë.

Krejt në fund të konferencës, Shala tha se ka marr vendim që t’i publikojnë të dhënat individuale për secilin gjyqtar për çdo muaj, ku do të shihet se kush sa lëndë ka kryer.