Kryetari i Apelit thotë se Departamentet Speciale do ta dërgojnë gjyqësorin e Kosovës në tjetër nivel

Lavdim Bajraktari - Rasti Konferenca e Apelit - 11.07.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Korrik 11, 2019

Prishtinë – Departamentet Speciale të formuara në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në Gjykatën e Apelit, sipas kryetarit të Apelit, Hasan Shala, do ta dërgojnë gjyqësorin në Kosovë në tjetër nivel.

Një deklarim të tillë, Shala e ka dhënë të enjten, gjatë prezantimit të punës që gjykata që ai udhëheq, ka bërë në gjashtë muajt e parë të vitit 2019.

Siç tha Shala, funksionalizmi i Departamentit Special në kuadër të Apelit është lajm i mirë dhe tha se pret që kolegjet profesionale që janë caktuar në këtë departament, do t’i trajtojnë në mënyrë profesionale aktakuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Sa i përket lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave, Shala tha se në Apel janë tri lëndë të tilla që presin të zgjidhen, ndërsa shikuar në përgjithësi, sipas tij, lëndët që i takojnë Departamentit të Krimeve të Rënda rrallë presin më shumë se tre muaj për tu zgjidhur.

Sa i përket lëndëve të korrupsionit, kryetari Shala tha se vitin 2019 e kishin nisur me 18 lëndë të pakryera nga vitet paraprake, ndërsa gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti kanë arritur edhe 45 lëndë që i takojnë kësaj natyre, aq sa tha se edhe është numri i lëndëve të kryera, ndërsa në punë vazhdojnë të mbesin ende 18 lëndë të korrupsionit.

Nga këto 45 lëndë të zgjidhura, Shala tha se në 29 nga to janë vërtetuar aktgjykimet e shkallës së parë, 11 janë kthyer në rigjykim, kurse në pesë raste janë ndryshuar aktgjykimet e shkallës së parë.

Në krahasim me vitin e kaluar, Shala tha se këtë vit, Apeli ka zgjidhur 2.302 lëndë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, apo në total, 8.712 lëndë të zgjidhura.

Problemin më të madh që gjykata e shkallës së dytë ka sipas kryetarit Shala, është numri i madh i lëndëve të pazgjidhura në Divizionin Civil, ku përkundër se siç tha, numri më i madh i lëndëve të zgjidhura i takojnë këtij divizioni, ende mbesin ta pazgjidhura 10.956 lëndë të kësaj natyre.

Qëllim i gjykatës që udhëheq, Shala tha se është që deri në fund të këtij viti të zgjidhin të gjitha lëndët e natyrës civile që datojnë nga vitet 2014 dhe 2015.

“Jemi duke punuar që asnjë lëndë të mos pres në Apel më shumë se dy vite”, tha Shala.

Zvogëlimi i numrit të lëndëve, sipas Shalës, do të sjell edhe rritje të cilësisë së vendimmarrjes nga gjykatësit e Apelit.

Ai tha se do të vijë një kohë që do të punohet më shumë për cilësi, e jo për numra.