Kryetarët e komunave thonë se pandemia e ka penguar mbarëvajtjen e procesit të dëgjimeve buxhetore

hh
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”.

Tetor 17, 2020

Prishtinë – Situata me pandeminë COVID-19 i ka sfiduar komunat në organizimin e dëgjimeve buxhetore. Sidoqoftë, komunat kanë bërë përpjekje që të mbajnë takime, duke respektuar masat e pandemisë, por edhe përmes platformave online në mënyrë që të dëgjohet zëri i qytetarëve.

Imri Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Komunave tha për “Betimi për Drejtësi” se pandemia e ka penguar mbarëvajtjen e procesit të dëgjimeve buxhetore.

“Padyshim që periudha e pandemisë dhe kufizimi i lirisë së lëvizjes, distanca e kërkuar e ka pengu mbarëvajtjen e procesit të dëgjimeve buxhetore. Ne praktikisht i kemi zhvillu, duke kërku që të mbahet një distancë. Personalisht kam pasur edhe konferencën online ‘Fol shlir’ ose ‘Fol hapur’ në mënyrë që me ju përgjigj të gjitha kërkesave të qytetarëve ose komenteve të tyre që i kemi pas në rrjetet sociale drejtpërdrejti, duke dhanë mundësi që qytetari të aktivizohet dhe ne kemi zhvillu procesin e dëgjimeve buxhetore edhe në këto masa të pandemisë, por normalisht duke ruajtur distancën dhe duke ju përmbajtur masave anti-COVID. Kjo detyrimisht duhet ta themi që ka ndiku në këtë proces të dëgjimeve buxhetore, periudha e COVID-it”, tha Ahmeti.

Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës tha se takimet me qytetarë janë zhvilluar përmes platformës “Zoom”.

“Këto takime këtë vit janë zhvillu virtualisht me zoom, për shkak se edhe koha kur kanë ndodh dëgjimet që zakonisht është fundi i korrikut edhe gushti është koha kur kemi pas rritje të rasteve të pandemisë nuk e kemi pas kurbën në rënie, por e kemi pas në ngritje ju kujtohet të gjithëve edhe jonë zhvillu online. Do të thotë janë zhvillu takimet  virtuale me banorë me kryetarë të bashkësive lokale janë ftu. Fatkeqësisht në këto takime numri i pjesëmarrësve ka qenë edhe më i vogël po ne kemi qenë të detyruam të paktën të bisedojmë me ta jo vetëm me përmbushë një kusht ligjor, por e thash edhe një herë është shumë me interes për ne me i marr kërkesat  fillimisht e jo pasi të kryhet buxheti se atëherë edhe e kemi zor me vepru”, tha Gjini.

Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit tha se takimet që janë mbajtur, janë zhvilluar duke i respektuar rekomandimet e IKSHPK-së.

“Edhe dëgjimet buxhetore të cilat i ka organizuar dhe i ka mbajtur komiteti për politikë dhe financa sipas ligjit, por edhe debati publik i gjashtë mujorit të parë po flasim për këtë vit e ka organizu kryetari komunës në sallën e Kuvendit të Komunës, po edhe format tjera të takimeve të konsultimeve të debateve publike kanë qenë në përputhshmëri jam i bindur edhe ka evidencë dhe të gjithë e dinë në përputhshmëri të plotë me udhëzimet, rekomandimet dhe masat të cilat i ka përcaktuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë”, tha Lafiti.

Për të gjitha këto dhe më shumë, ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, i cili ju jep përgjigje pyetjeve që ndërlidhen me procesin e planifikimit të buxhetit, ku do të flasin të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces. /BetimipërDrejtësi