Kryetarët e komunave thonë se është sfidë buxhetimi gjinor gjatë procesit të buxhetimit

foto per emision
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Tetor 17, 2020

Prishtinë – “Betimi për Drejtësi” këtë javë ka trajtuar temën e “Pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje”.  Një aspekt me rëndësi, i cili ende nuk e ka vëmendjen e duhur në procesin e buxhetimit në komuna, ka të bëjë me mos përmbushjen e kërkesave ligjore për buxhetim të përgjegjshëm gjinor. Në këtë drejtim, kryetarët e komunave thonë se ende janë larg arritjes së rezultateve të pritura.

Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit tha se në komunën të cilën ai e drejton është sfidë edhe qëllim i madh buxhetimi gjinor.

“Edhe te ne, përkundër faktit që kemi angazhime ose kanë ndodhë takime, komunikim për të zgjidhur sa më shumë probleme në kuadër të kësaj teme ose kësaj çështjeje. Është sfidë edhe qëllim i madh buxhetimi gjinor. Organizohen takime të veçanta dhe se konsiderojmë që sa i takon planifikimit ose buxhetimit gjinor kemi akoma mundësi dhe gjendja lë për të dëshiruar dhe unë mendoj që kësaj shtrese ose këtij pozicioni duhet shumë më shumë t’i kushtojmë kujdes në të ardhmen”, tha Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit për “Betimi për Drejtësi”.

Kurse kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se këto tema do të hyjnë fuqishëm në agjendë në momentin kur t’i kryejnë punët baziket, siç janë asfalti, uji i pijshëm, ndriçimi publike dhe kanalizimi.

“Tashi ne vetëm po ia nisim me mendu në këtë drejtim, për shkak se secili prej nesh e mendojmë që nëse ndërtojmë rrugën, rruga është për dy gjinitë ose uji i pijshëm apo diçka tjetër, por koncepti si koncept po vjen te ne, dmth duhet me pas kujdes edhe prap po them e kemi obligative pa marrë parasysh se shumë njerëz na thonë po boni asfalt, po boni asfalt. Na nuk po i qojmë nëpër ara asfaltin, po i qojmë tek shtëpitë e njerëzve që banojnë, këto tema kanë me na ardh fuqishëm në agjendë në momentin kur i kryejmë baziket. Në momentin që kemi një fëmijë që del në baltë prej shpisë, kur nuk ka familje  pa ujë të pijes, kur nuk ka familje të pa ndriqume natën  dhe kur i kemi të kryme kanalizimit”, tha Ardian Gjini.

I pari i Gjakovës shtoi se pas 2 ose 3 vitesh pritet që të përfundojnë të gjitha punët sa i përket ndërtimit të rrugëve, ndriçimit publike, ujit të pijshëm.

“Tash a duhet na me pritë 100% që mos me bo kurgjo në aspektin e buxhetimit të drejtë gjinorë po besoj që jo, po i afrohemi momentit kur këto baziket kemi me i përmbyllë, duhet me fillu me mëndu seriozisht në këtë drejtim, por unë po besoj që për 2 – 3 vite nuk kemi me fol  më për rrugë. Rrugët duhet me u mirëmbajt se mirëmbahen në gjithë botën,  mirëpo për me shtru rrugë të reja kemi me pas shumë pak për shkak se i përmbyllim. Unë besoj se në vitin 2022 në Komunën e Gjakovës përmbyllen rrugët edhe në fshat edhe në qytet, përmbyllet uji i pijes , përmbyllet ndriqimi komplet  atëherë flasim për çështje të tjera, për kanalizime po që po por nuk janë asete komunale, por edhe për temat që kanë me qenë me pas ndjesinë që çka po bëjmë për buxhetin që sot në botë quhet me një ndjesi të theksime në aspektin e gjinisë po e kuptueshme”, shtoi Gjini.

Kryetari i Asociacionit të Komunave njëherit dhe i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se në të gjitha komunat ka një avancim në kuptimin e buxhetimit gjinor.

“Tani është çështja e pjesëmarrjes së qytetarëve, është çështje krejt tjetër dhe të njëjtën kohë në të gjitha komunat, ka një përmirësim, një avancim në kuptimin e buxhetimit gjinor, duke marr parasysh të gjitha kërkesat, edhe të organizatave të ndryshme edhe impaktin që ka në ndarjet buxhetore, barazia gjinore. Në fakt kërkesat ligjore plotësohen pa asnjë problem, problemi është sa ka një interesim aktiv të dukshëm në kuptimin e aktivizimit gjinor, se sa vetëm plotësimi i standardit ligjor. Të plotësosh një standard ligjor është shumë më e lehtë, se sa të ndodhë një aktivizim praktik i qytetarëve për kërkesën e barazimit gjinor. Do të thotë nuk e shoh problematike standardin ligjor, sa e shoh problematike aktivizimin qytetar në kuptimin e kërkesave për barazim gjinor”, tha Imri Ahmeti, kryetari i Lipjanit.

Rozafa Ukimeraj, sekretare e Përhershme në Ministrinë e Pushtetit Lokal (MAPL) tha se kësaj ministri  i intereson në kuptimin e gjinisë se sa konsultohen gratë në nivelin lokal në procesin e planifikimit buxhetor.

“Ministria në kuadër të sistemit të performancës, kemi indikator të cilët përveç që kërkohet nga komunat të përmbushin detyrimet ligjore për pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin buxhetor, e kemi shtu edhe komponentin e përfaqësimit të barabartë gjinor. Neve na intereson edhe në kuptimin e gjinisë se sa konsultohen gratë në nivelin lokal në procesin e planifikimit buxhetor. Komunat kanë filluar që të marrin parasysh rekomandimet edhe kërkesat ligjore mirëpo mund të themi që nuk janë në nivelin e kënaqshëm ashtu siç edhe në përfaqësimin e barabartë gjinor por edhe në procesin e vendimmarrjes edhe në pozitat vendimmarrëse por edhe në procesin e planifikimit buxhetor nuk është se adresohen kërkesat ligjore sa i përket buxhetimit të përgjithshëm gjinor nga komunat, tha Ukimeraj.

Për të gjitha këto dhe më shumë, ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, i cili ju jep përgjigje pyetjeve që ndërlidhen me procesin e planifikimit të buxhetit, ku do të flasin të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces. /BetimipërDrejtësi