Kryetarët e komunave thonë se duhet të krijohen mekanizma që të dëgjohet më shumë zëri i qytetarëve

66
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Tetor 17, 2020

Prishtinë – Institucionet publike duhet të ndërmarrin aktivitete të ndryshme për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje. Kryetarët e komunave thonë se do duhej me pas sensibilizim më të madh që qytetarët me kuptu që buxhetet komunale janë buxhete për nevoja të tyre.

Imri Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Komunave për “Betimi për Drejtiësi” tha se komunat duhet të punojnë më shumë që t’i identifikojnë problemet dhe nevojat e qytetarëve.

“Në fakt, mendoj që do duhej me pas një lloj sensibilizimi më të madh që vërtetë qytetarët me kuptu që buxhetet komunale janë buxhete të tyre dhe janë buxhete për nevoja të tyre. Dhe komuna duhet të bëjë një aktivizim më të madh për të identifikuar nevojat dhe problemet me të cilat ndeshemi gjatë punëve tona të përditshme në mënyrë që qytetarët me qenë më koshientë për tu aktivizu në ndërtimin e buxhetit”, tha Ahemti.

Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit tha për “Betimi për Drejtësi” se  duhet të ketë mekanizma dhe praktika më të shumta që qytetari të jetë pjesë në çdo proces, jo vetëm në procesin e planifikimit dhe hartimit të buxhetit.

“Pajtohem që duhet të kemi më shumë mekanizma dhe praktika më të shumta që qytetari të ndihet në çdo proces jo vetëm në procesin e planifikimit dhe hartimit të buxhetit ku përfshihen nevojat. Kërkesat dhe interesat e tyre po edhe në çdo aspekt të rritet d.m.th. ndjenja te qytetarët që janë pjesë e çdo procesi, por jo vetëm pjesë vëzhguese e procesit edhe vendimmarrës në çdo proces të rëndësishëm që lidhet me fatin e kësaj komune e që në rastin konkret ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe mirëqenien e tyre” tha Lafiti.

Rozafa Ukimeraj, sekretare e Përhershme në  Ministrisë e Pushtetit Lokal (MAPL) tha se sistemi i jonë zgjedhor ku qytetarët direkt zgjedhin kryetarët e komunave e ka rritë edhe më tepër përgjegjshmërinë e lidershipit e në këtë rast kryetarëve të komunave ndaj qytetarëve.

“Unë mendoj që pjesëmarrja e qytetarëve mund të rritet jo vetëm duke krijuar një bazë të mirë ligjore apo duke krijuar politika apo duke krijuar platforma të qasshme, qoftë edhe ato online apo mënyra tjera. Vetë lidershipi komunal sidomos të zgjedhurit, anëtarët e kuvendeve të komunave por edhe zyrtarët të cilët punojnë në administratat komunale, duhet të tregojnë një përkushtim më të madh në raport me adresimin e kërkesave të qytetarëve”, tha Rozafa Ukimeraj.

Për të gjitha këto dhe më shumë, ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, i cili ju jep përgjigje pyetjeve që ndërlidhen me procesin e planifikimit të buxhetit, ku do të flasin të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces. /BetimipërDrejtësi