Kryeprokurori i Pejës inicion procedurë disiplinore ndaj prokurores Lirije Morina, për rastin e dhunimit të 15-vjeçares

Raporton: Driton NOCI dhe Alban MEHMETAJ

Pejë – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, pas vlerësimit të shkresave të lëndës, ka filluar inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores për të mitur, Lirije Morina, përkitazi me rastin e dhunimit të 15 vjeçares.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga një komunikatë për media nga Prokuroria Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik lidhur me çështjen penale PP.nr.68/12, për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 193, paragrafi 3 i KPK-së, se Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas analizimit të gjitha shkresave të lëndës, konform Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores, e cila ka përfaqësuar këtë lëndë”, thuhet në komunikatë.

Ky veprim vije pasi që prokurorja Morina ditë më parë ishte pajtuar me dënimin e shqiptuar nga ana e gjyqtares së Gjykatës Themelore të Pejës, Florije Zatriqi, prej vetëm 8 muaj e 8 ditë ndaj dhunuesit të 15-vjeçares, duke mos bërë ankesë në shkallën e dytë, për një vendim të tillë.

Në lidhje me këtë rast, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën në fjalë dhe nga të gjetura të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Po ashtu, edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, përmes një komunikate për medie, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha që të ndërmarrë veprimet ligjore për të adresuar përgjegjësinë disiplinore në këtë rast.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, më 13 mars 2014 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim, për shkak të mosarsyetimit të zbutjes së dënimit ndaj kryesve të veprës. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë