Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës: Prijësit fetarë të jenë të qartë kundër dhunës

Kryeimami
Author

Raporton: Betimi për Drejtësi

Qershor 9, 2021

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Vedat Sahiti ka kërkuar nga të gjithë prijësit fetarë të jenë të qartë në mesazhet kundër dhunës.

Këtë deklaratë, Sahiti e ka dhënë gjatë diskutimit për Liritë Fetare në Kosovë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Mediterranean Women Mediators Network, në kuadër të projektit “Promovimi i Lirisë Fetare dhe Dialogut Ndëretnik në Kosovë”.

“Prijësit fetarë duhet të jenë të qartë në mesazhet e tyre kundër dhunës dhe se dhuna nuk mund të arsyetohet në asnjë provokim paraprak”, ka deklaruar kryeimami Sahiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se liderët fetarë më 2012 kishin miratuar deklaratën në Marokë ku bëhej thirrje që prijësit fetarë të përmbahen nga përdorimi i mesazheve që mund të nxisin dhunë, diskrimimin apo gjuhë të urrejtjes.

Sahiti ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës do të angazhohet që të jetë shembull i paqes, mirëbesimit dhe mirëkuptimit ndër fetar.

Sipas tij, dialogu ndër-fetar që nga paslufta ka sjellë rezultate inkurajuese duke shtuar se në kombin shqiptar gjithmonë është respektuar besimi i tjetrit dhe se jeta ka qenë në harmoni e respekt të plotë me njëri tjetrin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kështu besoj se do të vazhdojë tradita tek shqiptarët, jo vetëm në raport me vetveten por edhe në raport me të tjerët, në frymosjen  e kësaj vlere, në frymosjen e mirë të besimit e respektit”, ka thënë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Kryeimami Sahiti kërkuar nga institucionet shtetërore të jenë urë që lidhin palët e ndryshme të interesit për të avokuar për të drejtat e njeriut përfshirë këtu edhe autoritetet fetare dhe liderët fetarë bashkë me botën akademike, me organizatat e shoqërisë civile që kanë për bazë besimin.

Sahiti e ka konsideruar të domosdoshme vazhdimin e dialogut në mes të komuniteteve duke konsideruar se të gjitha mosmarrëveshjet vijnë si rezultat i mos njohjes së njëri-tjetrit dhe mos respektimin e njëri-tjetrit.

“BIK-u e konsideron të domosdoshëm dhe të nevojshëm vazhdimin e dialogut në mes të komuniteteve me qëllim të njohjes dhe rritjes së mirëkuptimit të ndërsjellë sepse të gjitha mosmarrëveshjet mund të vijnë si rezultat i mosnjohjes së njëri tjetrit dhe mos respektimit të njëri tjetrit”, ka thënë kryeimami i BIK-ut Vedat Krasniqi. /BetimipërDrejtësi