KREDITIMI RURAL I KOSOVËS NUK I BASHKANGJITENT NDJEKJES PENALE, NË GJYKIMIN KUNDËR ISH-LLOGARITARIT
Raporton: Valdet HAJDINI
Pejë – Alban Gërguri, përfaqësues i autorizuar i palës së dëmtuar-Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), deklaroj se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale kundër Rasim Marmulaku, i akuzuar për veprën penale ‘përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës’. Këtë deklaratë Gërguri e bëri të enjten, para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Lumturije Muhaxheri, duke shtuar se klienti e ka mbyllur kredinë dhe KRK nuk është e dëmtuar në këtë rast.
“Nga faturat e pagesës së kredisë rezulton që pagesat janë kryer me rregull, ndërsa shuma e mbetur prej 1.460,55 euro është mbuluar nga shitja e aksioneve të Shoqatës”, tha dëshmitari Gërguri.
Në mbrojtjes e tij, i akuzuari Rasim Marmullaku deklaroj se i gjithë ky rast ka mundur të jetë si pasojë e një gabimi teknik të bërë gjatë punës së përditshme.
Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Sahide Gashi, se çfarë ka ndodhur me shumën e parave prej 1.466,55 euro, i akuzuari Marmullaku tha se “meqë kishte shumë kredi, ka mundësi që me ato mjete janë mbuluar kreditë e personave tjerë, por e sigurt është që as klientët e as KRK nuk është e dëmtuar në këtë rast”.
Seanca e radhës për këtë rast gjyqësor u caktua për 26 korrik 2016, me fillim në ora 9.00, ku palët do të japin fjalët përfundimtare.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë e akuzon Rasim Marmullakun, se në cilësi të personit përgjegjës në Shoqatën “Perspektiva Fshatare”, në fshatin Jashanicë, KK Klinë, kishte përvetësuar shumën e të hollave prej 1.359,55 euro. Sipas prokurorisë, këto mjete i kishte marrë prej Fazli Berishës në emër të mbylljes së kredisë, ndërsa të njëjtat nuk i kishte dorëzuar në KRK, përmes llogarisë bankare në NLB Bank. Prokuroria pretendon se kjo ngjarje ka ndodhur në dhjetor 2011.