Krasniqi: Mosunifikimi i vendimeve gjyqësore për raste të njëjta, po krijon pasiguri juridike

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Avokatja Erblina Krasniqi në emisionin “Tempus” në KTV ka thënë se mosunifikimi i vendimeve gjyqësore për raste të njëjta, po krijon pasiguri juridike.

“Problem tjetër çka e shoh shumë të madh në sistemin gjyqësor është të themi unifikimi i vendimeve gjyqësore, unë e kuptoj diskrecionin e gjyqtarit për me vendos për një lëndë qysh ai e sheh ose qysh i vlerëson provat e lëndës. Mirëpo, në një rast të njëjtë do të thotë në një vendim kontestues nga dy persona, do të thotë ne kemi dy vendime, njëri gjyqtar e aprovon padinë, tjetri gjyqtar e refuzon. Ne jemi në një pozitë që si praktikues të ligjit, klientin tonë kurrë nuk mundemi me garantu që lënda jote do të procedojë tutje, pavarësisht se kemi një precedent paraprak, ose pavarësisht se për vendimin e njëjtë është kontestu paraprakisht prej dikujt, juve do t’ju vendoset njëjtë dhe kjo krijon pasiguri shumë të madhe juridike, krijon një pasiguri që pastaj palët po hezitojnë ta realizojnë të drejtën e tyre në procedura gjyqësore ose po e shohin të pamundur vendimin e tyre me realizu në procedura”, tha Krasnqi.

Sipas Krasniqit, problem tjetër mbetet mosrespektimi i afateve ligjore për nxjerrjen e vendimeve.

“Ajo çka tjetër u përmend zvarritja e lëndëve, unë do të thoja që përveç zvarritjes së lëndëve nuk po respektohen afatet ligjore për nxjerrjen e vendimeve. Për shembull kemi procedura përmbarimore, Ligji për Procedurën Përmbarimore është ligj i pastër, i parasheh afatet, i cakton afat gjyqtares se në cfarë periudhe kohore duhet me nxjerrë vendimin”, shtoi ajo.

Avokatja tha se ka probleme të shumta në ushtrimin e funksionit të gjyqtarëve, por që ka gjyqtarë shumë të mirë në Gjykatë Themelore. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë