KQZ: Të gjitha qendra e votimit janë hapur me kohë

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se materialet zgjedhore janë përcjellë në çdo vendvotim të Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një konference për media ka bërë të ditur se vendvotimet janë hapur në orarin e paraparë në tërë Republikën e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellë nga depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve për në qendrat e votimit. Janë përcjellë me kohë, sigurisht se ka pasur vonesa për shkak të motit të ligë por ato janë hapur me kohë”, ka thënë Elezi.

Ai ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 794 mijë e 862 votues.

Po ashtu, sipas tij numri i subjekteve politike është 28 ndërsa i kandidatëve 1 mijë e 52.

Elezi ka thënë se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për zgjedhje është rreth 30 mijë vëzhgues.

Kujtojmë se vendi ka shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme pas vendimit të Gjykata Kushtetuese të Kosovës, ku e shpalli jokushtetues Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë