KPK shpallë konkurs për 8 prokurorë, hap dhe thirrjen publike për nominimin e kandidatëve për zëvendëskryesues

rsz_lp3b2785
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Maj 22, 2020

Prishtinë – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të premten, ka mbajtur takimin e 181-të, nën masat e mbrojtjes nga pandemia Covid-19 dhe përmes video konferencës.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të KPK-së.

Sipas komunikatës, gjatë takimit KPK ka shpallur konkursin për 8 prokurorë të Shtetit, të cilët do të rekrutohen nëpër prokuroritë Themelore.

“Me qëllim të realizimit të procesit rekrutues KPK ka themeluar Komisionin për Rekrutim të prokurorëve të Shtetit, Komisionin për rishqyrtim dhe ka caktuar Administratorin e provimit”, thuhet në njoftim.

Tutje, me skadimin e mandatit të zëvendëskryesuesit, KPK në pajtueshmëri me aktet nënligjore ka bërë thirrjen publike për nominimin e kandidatëve të interesuar për pozitën e zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Gjatë këtij takimi, anëtarët e KPK-së, kanë diskutuar, shqyrtuar dhe miratuar tri raporte të periudhave të ndryshme kohore të Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional për veprat penale karakteristike: Raportin vjetor 2019, Raportin tre mujor janar – mars 2020 dhe Raportin krahasimor dhe analitik shtatë vjeçar.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Gjithashtu, thuhet se është shqyrtuar draft-rregullorja për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila me disa plotësim-ndryshime edhe është miratuar, është bërë shpallja e brendshme për avancim për 4 pozita në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe janë shqyrtuar dhe miratuar dy raporte për vlerësimin e performancës së 9 prokurorëve me mandat të përhershëm. /BetimipërDrejtësi