KPK: Ligji i miratuar në Kuvend cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetues

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë – Prokurorial i Kosovës (KPK), me anë të një deklarate për media, ka shprehur  shqetësimin lidhur me kalimin në lexim të dytë të Ligjit për KPK-në në Kuvendin e Kosovës.

KPK-ja konsideron se votimi i këtij ligji, në këtë mënyrë, cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Siç dihet, Këshilli Prokurorial, që nga fillimi i procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së, ashtu siç parashihet me Strategjinë për sundimin e ligjit, ka dhënë kontributin e tij  nëpër grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Kuvendin e Kosovës, ku ka dalë me propozime konkrete, të cilat nuk janë marrë parasysh asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht, nga komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Sipas KPK-së, përmbajtja e këtij ligji do të pamundësojë funksionalizimin e sistemit prokurorial dhe do ta bëjë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.

“Meqenëse me këtë Ligj cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit, Këshilli njofton se përveçse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij ligji, gjithashtu, asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’i nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore që janë edhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe kundër dy rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias”, thuhet në fund të deklaratës së KPK-së.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovë në seancën plenare të mbajtur të enjten, ka miratutar në lexim të dytë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë