KPK dhe ZKSH reagojnë ndaj kërcënimeve të bëra kundër prokurores speciale, Drita Hajdari

20200111_130455
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Janar 11, 2020

Prishtinë, 11 janar 2020 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKSH), të shtunën, kanë reaguar ndaj kërcënimit me likuidim fizik dhe kërcënimeve tjera, të bëra ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari.

Në komunikatën për media të dërguar nga KPK dhe ZKSH, thuhet se kërcënimet serioze ndaj prokurores Hajdari vijnë si rrjedhojë e fushatës dhe gjuhës denigruese publike nga një grup individësh, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me rastin e ashtuquajtur “Pronto”.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurores speciale, Drita Hajdari, duke i ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e saj në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhet në komunikatë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftojnë se kërcënimet ndaj prokurores Drita Hajdari janë duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës, me ç’rast kanë urdhëruar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave, të cilët kanë kërcënuar prokuroren Hajdari, si dhe të njëjtit të dalin para organeve të drejtësisë.”, thuhet tutje në komunikatë.

Institucionet në fjalë sigurojnë opinionin publik se kërcënimet publike ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe asnjë çast synimet dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për krijimin e shtetit ligjor, në të cilin respektohen parimet e drejtësisë.

Ndryshe, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, mëngjesin e së shtunës, është drejtuar në Policinë e Kosovës, ku ka paraqitur një rast të kërcënimit.

Rastin e ka konifrmuar Policia e Kosovës, duke thënë se kanë pranuar informatën se prokurorja Hajdari është kërcënuar me jetë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se rasti është duke u hetuar.

“Mund të konfirmojmë se e njejta sot është paraqitur në stacion policor, për ta raportuar një rast, për të cilin është duke u intervistuar. Rasti do të trajtohet nga njësitet relevante policore, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorine kompetente”, thuhet në përgjigjen e Kelanit.

Ndryshe, prokurorja Hajdari kishte ngritur dhe përfaqësuar aktakuzën në rastin “Pronto”, ku të akuzuar janë Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti e të tjerë.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 janar 2020, të gjithë të akuzuarit i ka shpallur të pafajshëm.