Konstestohet ekspertiza në procesin gjyqësor ndaj vëllezërve Llamallari nga Maqedonia për shpërlarje parash

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj, 12 Shkurt 2016 – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të premtën, është zhvilluar procesi gjyqësor, ndaj dy vëllezërve nga Maqedonia, Januz Llamallari dhe Jusuf Llamallari, të cilët akuzohen për shpërlarje të parave.

Në seancën e së premtës, ka dëshmuar eksperti neuropsikiatrik Dr. Sami Rexhepi, për konstatimin e gjendjes psikike të të akuzuarit Januz Llamallari.

Gjatë elaborimit të ekspertizës për gjendjen psikike si dhe kostatimin e aftësisë mendore dhe intelektuale të të akuzuarit Januz Llamallari, tha se në bazë të dokumenteve dhe raporteve që i ka poseduar dhe nga konstatimet e mjekëve që e kanë kryer ekzaminimin më heret, si dhe nga një takim që kishte zhvilluar me të akuzuarin, rezulton se i akuzuari në momentin e kryerjes se veprës penale kishte qenë pjesërisht i aftë që t’i kuptoj veprimet e tij si dhe pjesërisht i aftë që të prezantohet në gjykim për veprën e cila i ngarkohet.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jusuf Llamallari, avokati Ilmi Qorri, e ka kundërshtuar në tërësi ekspertizën mbi gjendjen e klientit të tij. Ai tha që klienti i tij është plotësisht i paaftë nga aspekti mendor si dhe nuk është i aftë që të prezantohet në gjykim. Avokati këtë e ka mbështetur në raportet e dhëna nga mjekët në dy ordinanca të Shkupit, si dhe ka thënë se ka në posedim librezën shëndetesore që e posedon i akuzuari, edhe gjatë kohës sa e kishte kryer ushtrinë, ku sipas tij, konstatohet se Jusuf Llamallari ka aftësi mendore të zvogëluar.

Prokurori special Faik Halili, pas dëgjimit të elaborimit të ekspertizës nga ana e ekspertit të caktuar, tha se ajo nuk është korrekte, duke theksuar se posedon deklaratën e dhënë nga i akuzuari Jusuf Llamallari të dhënë para prokurorit dhe hetuesve policorë, në të cilën ai në asnjë rast nuk kishte deklaruar se është me paaftësi mentale ose që vuan nga ndonjë sëmundje.

Duke kontestuar ekspertizën, prokurori special, Faik Halili, ka kërkuar nga trupi gjykues që të bëhet një superekpertizë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Llamallari, ka propozuar që të bëhet një ekspertizë e dytë dhe nëse sipas tij, nuk ka përputhje me ekspertizën e parë, atëherë të bëhet superekspertiza.

Ky propozim i mbrojtësit të akuzuarit, sipas prokurorit Halili, mund të pranohet vetëm nëse ajo kryhet brenda territorit të Kosovës, ndërsa nëse ajo kryhet jashtë territorit të Kosovës, përkatësisht në shtetin Maqedon, të kryhet me shpenzimet vetanake të të akuzuarit.

Gjykata ka marrë aktvendim që të aprovohet propozimi për të bërë një ekzaminim për të konstatuar gjendjen psikike-mentale të të akuzuarit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë