Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj gruas së “Sandokanit” dhe zyrtarit tjetër të MPMS

Gjykata e Apelit
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Korrik 27, 2020

Prishtinë – Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me të cilën dy zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Ata akuzohen se, në cilësinë e personave zyrtarë, u kanë mundësuar qytetarëve të Shqipërisë që në mënyrë të kundërligjshme të fitojnë statusin e veteranëve të luftës, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumë prej 133,280.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këtë rast, Apeli I ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe e ka lënë në fuqi vendimin e nxjerrë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 17 mars 2020, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza e ngritur nga ana e PSRK-së.

Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtësve të të akuzuarve Rexha e Bala, avokatëve Gazmend Halilaj dhe Muhamet Mujaj, me të cilat ishte kërkuar hudhja e aktit akuzues.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e mësipërme ankimore nuk janë të bazuara, sepse me aktvendimin për refuzimin e kërkesave për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provës, gjykata e shkallës së parë në aktvendimin e ankimuar është kujdesur sipas thënieve nga kundërshtimet që të vlerësoj dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e datës 16 dhjetor 2019, e në bazë të gjendjes së fakteve të përshkruara si në aktakuzë, dëshmohet se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa tani për tani nuk ka argumente bindëse dhe që nuk përmbajnë asnjërën prej kushteve ligjore, për të cilën mund të kundërshtohet akuza, ashtu siç kërkohet me dispozitat e nenit 250 par.1 nën par.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të KPPK-së”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë kishte dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye sa i përket provave të kundërshtuara dhe e njëjta kishte vërtetuar drejtë se ekzistojnë prova të mjaftueshme, për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale me të cilën ngarkohen dy të akuzuarit.

“Ndërsa, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejtë ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, duke u bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës, si dëshmitarët, transkriptet e komunikimit të siguruara në mënyrë të ligjshme me urdhëresë të gjykatës, të udhëtimit për të akuzuarit që dëshmojnë vizitën e tyre në qytetin e Krumës në Republikën e Shqipërisë, ku i plotësuan formularët për aplikim gjersa e akuzuara ishte në pushim; kërkesa për të akuzuarën Sanije Rexha; akt emërimi për të akuzuarën Rexha që dëshmojnë se ajo nuk është kompetente për të pranuar aplikacionet etj, dhe se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilën janë akuzuar të pandehurit dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë, të cilat i propozuar prokuroria në aktakuzë, e të gjitha këto tregojnë se për dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale me të cilën ngarkohen të akuzuarit, ndërsa pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve tani janë të pabazuara, pasi që në esencë asnjëra prej pretendimeve në ankesë nuk përmban asnjë provë me të cilën do të vërtetohej e kundërta e akuzës, ashtu që edhe kërkesat mbi hudhje të aktakuzës dh kundërshtimin e provave janë të pabazuara”, thuhet në vendimin e Apelit.

Tutje sipas Apelit, ankesat e ushtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve nuk përmbajnë asgjë konkrete, përveç se atakojnë aktin akuzues në mënyrë të përgjithshme.

“Ndërsa, nga thëniet e tjera në ankesa se në shkresat e lëndës nuk ka prova të mjaftueshme të cilat mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen sipas aktakuzës, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, këto thënie nuk përmbajnë asgjë konkrete, përveç atakimit të aktakuzës në mënyrë të përgjithshme” thuhet në aktvendim.

Në fund, Apeli ka konstatuar se vendimi i nxjerrë nga Departamenti Special, për refuzimin e kërkesave të mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave është i drejtë, meqë nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parapara me nenin 250 paragrafin 3 të KPPK-së.

“Për arsyet e lartcekura, kjo Gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, si të pabazuara në bazë të nenit 249 par.3 të KPPR-së, me që nuk paraqiten asnjë nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.3 të KPPK-së”, thuhet në vendim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 16 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim i ndikimit.

Sipas PSRK, Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, Udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëveprim e të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor  të vitit 2017, në bashkëveprim, kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare.

Ata akuzohen se kishin tejkaluar autorizimet zyrtare, pa autorizim kanë marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës ku kanë plotësuar 31 formular për aplikim  për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

Të dy të akuzuarit, më pas formularët e plotësuar i sollën në Kosovë, dhe i dorëzuan në  MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të  luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme”

Me këto veprime ata akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Po ashtu, ata akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve, për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’u sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi