Konferenca e sotme përgatitore për gjykim për rastin Salih Mustafa do të mbahet e mbyllur dhe pa prezencën e të gjitha palëve

Salih Mustafa
Author

Raporton: Medina KADRIU

Qershor 10, 2021

Prishtinë – Të enjten është planifikuar që të mbahet konferenca e radhës përgatitore për gjykim në rastin e Salih Mustafës.

Mirëpo, kjo konferencë, siç është bërë e ditur përmes faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahet e mbyllur dhe ex-parte, apo pa prezencën e të gjitha palëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, seanca e parë përgatitore për gjykim është mbajtur me 9 qershor dhe e njëjta ka qenë publike. Pas përfundimit të seancës publike, është vazhduar pasdite me konferencë të dytë me seancë të mbyllur dhe ex-parte.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi