Komuna e Prishtinës tërheq pesë padi ndaj KPMSHCK-së, thotë se s’ka më interes juridik

Gjykata40
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Nëntor 6, 2019

 


Prishtinë – Me anë të pesë parashtresave, Komuna e Prishtinës, ka njoftuar Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Çështje Administrative, se heq dorë nga paditë e parashtruara ndaj Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Për seancat e parapara për të mërkurën, gjykatësja Lirije Maksuti, ka deklaruar se pesë padi të Komunës së Prishtinës, nuk do të shqyrtohen nga gjykata, pasi që e njëjta ka hequr dorë nga to.

Lidhur me këto tërheqje është njoftuar edhe pala e paditur, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ndërsa procedura për këto raste është pezulluar nga ana e gjykatës.

Këto tërheqje të padive, Komuna e Prishtinës i ka bërë për rastet e të punësuarve Arbër Gashi, Fahrije Sopi, Nerxhivane Demolli, Shkurte Sekiraqa, dhe Nexhmi Demolli, të cilëve si shërbyes civilë në institucione të ndryshme të vendit, u ishte ndryshuar pozita e punës nga kjo komunë, ndërsa këshilli kishte shfuqizuar këto vendime.

Sipas Komunës së Prishtinës, vendimet e tilla të KPMSHCK-së, kishin qenë në kundërshtim me ligjin, mirëpo më pas kjo çështje e lëvizjes së këtyre punëtorëve në pozita tjera, ishte rregulluar mes Këshillit dhe Komunës.

Komuna e Prishtinë, në këto rrethana më 30 tetor 2019, me anë të disa parashtresave kishte njoftuar gjykatën se tërheqin paditë ndaj këshillit, me arsyen se nuk kanë interes juridik për çështjen.

Komuna e Prishtinës kishte paraqitur pesë padi të ndryshme gjatë vitit 2017, lidhur me disa raste të punëtorëve Arbër Gashi, Fahrije Sopi, Nerxhivane Demolli, Shkurte Sekiraqa, dhe Nexhmi Demolli, të cilët në bazë të vendimeve të Komunës ishin transferuar në pozita tjera, ndërsa KPMSHCK-së, kishte kundërshtuar këto transfere.

Arbër Gashit, me vendim të Komunës, i ishte ndryshuar pozita nga “zyrtar i lartë financiar”, në Drejtorinë e Arsimit, në pozitën “Administrator i IT-së për bazën e të dhënave”, ndryshim për të cilin kishte reaguar menjëherë KPMSHCK-ja, e cila kishte shfuqizuar një vendim të tillë të Komunës.

Fahrije Sopi nga pozita “Anketuese”, ishte transferuar në pozitën “Asistente Administrative”, në Drejtorinë e Financave, në Komunën e Prishtinës.

Nergjivane Demolli, nga pozita “Operatore”, në Drejtorinë e Financave, me vendim të Komunës ishte transferuar në pozitën “Zyrtare për evidentimin e Pronave të Paluajtshme”, në sektorin e Tatimit në Pronë në Drejtorinë e Financave.

Shkurte Sekiraqa, nga pozita “Operatore”, ishte transferuar në pozitën “Zyrtare për Evidentimin e Pronës së Paluajtshme”, në kuadër të Drejtorisë për Financa.

Ndërsa, Nexhmi Demolli nga “Zyrtar Senior Profesional për Hipoteka dhe Ngarkesa Kadastrale”, kishte kaluar në pozitën “Zyrtar për Hipoteka”.

Ndaj këtyre transferimeve që Komuna e Prishtinës i kishte bërë, punëtorët e lartpërmendur kishin paraqitur ankesa në KPMSHCK, ku më pas ky institucion, kishte vendosur që vendimet në fjalë t’i shfuqizonte, me arsyen se një gjë e tillë, nuk ishte paraparë as me rregulloret për transferimin e punëtorëve.

Ndaj këtyre vendimeve më pas Komuna kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi