Komuna e Prishtinës tërheq padinë ndaj KPMSHCK-së, thotë se nuk ka interes juridik për çështjen

Rasti i Komunes 14.03.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Mars 14, 2019

Prishtinë – Të enjten, në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Arta Mazreku, ka paraqitur kërkesë për tërheqje të padisë ndaj Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), me pretendimin se nuk kanë interes juridik që të vazhdojnë me këtë çështje.

Rasti ka të bëjë me një padi që Komuna e Prishtinës e kishte bërë ndaj KPMSHCK-së për shkak se i njëjti kishte marrë vendim më 7 qershor 2016, që të aprovojë ankesën e Elhami Gashit dhe kishte obliguar Komunën e Prishtinës që të njëjtin ta kthej në punë.

Mirëpo, Komuna e Prishtinës, e pakënaqur me këtë vendim të këshillit dhe duke mos u pajtuar që Gashin ta kthejë në punë nuk kishte respektuar vendimin e këtij këshilli dhe kishte paraqitur padi.

Pas paraqitjes së padisë në vitin 2016, Komuna kishte vendosur që të respektonte vendimin e Këshillit dhe e kishte kthyer në punë Elhami Gashin, andaj, sipas përfaqësueses Mazreku, tani në këtë çështje nuk kanë interes të vazhdojnë me konflikt administrativ.

Në seancën e së enjtes, prezantoi edhe përfaqësuesja e të paditurës në këtë rast, Zyle Millaku-Gojnovci, e cila nuk e kundërshtoi propozimin e Mazrekut.

Në këto rrethana, gjykatësja Lirije Maksutaj vendosi që të konsiderojë si të tërhequr padinë e Komunës së Prishtinë në këtë rast.

Ndryshe, Komuna e Prishtinë kishte paraqitur padi me 15 qershor 2016, ndaj vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilin ankuesi Elhami Gashi, ishte rikthyer në punë, si anketues në Drejtorinë e Financave dhe Pronës në Komunën e Prishtinës, dhe të njëjtit me këtë vendim, iu kishin kompensuar edhe pagat e humbura pas përjashtimit nga puna.

Këtë vendim të Këshillit, Komuna e Prishtinës nuk e kishte zbatuar pasi kishte vlerësuar se i njëjti nuk ishte i drejtë dhe i ligjshëm, andaj i kishte propozuar që ta aprovonte padinë e saj dhe vendimin e Këshillit ta anulonte. /BetimipërDrejtësi